Qyteti i kapixhikëve, i shtëpive të mbuluara me qeremidhe, me muret e mbuluara me vargje duhani, i futbollistëve dhe muzikantëve të njohur…
———————————————————————————————-
KTHIMI NË KOHË!
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (11.1.)
Në rrëfimin më të ri, dr. Shevqeti na sjell kujtime e përjetime nga retrospektiva e kohës së kaluar: Për ndërtimet në formën e shkronjës “U”, për Shkollën Tetëvjeçare “Vuk Karaxhiq”, për futbollistët e njohur të Gjilanit e përtej, për grupin muzikor që argëtonte qytetin, për Makfire Uzunaliqin, etj, etj…, me fotogafi e fjalë.
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
/Rrëfimi i njëmbëdhjetë/
Ah Gilan! Të dua me ata kapixhikat në mes të shtëpive që ofronin besim dhe ngrohtësi njerëzore! Të dua me ato kulme të mbuluara me qeramidhe ‘maxhupi’, me muret e mbuluara me vargje duhani, me ato rrugë elipsoide me kalldërme, me çezmet në çdo kënd.
Ah Gilan! Sa shumë gjëra të bukura ke e sa shumë të tjera fshehen në ty…!
11./1./
Ah Gilan! Rruga me kubëza ofronte një pamje të mrekullueshme. Aty ku është soliteri gjendej konvikti njëkatësh në formë të shkronjës “U”, që kishte hyrjen nga obori i shkollës “Vuk Karaxhiq”. Dritaret e konviktit ishin të kthyera kah rruga kryesore. Në mes të konviktit ishte oborri i saj dhe një kotec me pëllumba që i mbante kushëriri im, Shyqa.
Në fillim të objektit ishin çezmet e shumta ku, ne, pinim ujë. Pas konviktit ishte fusha e famshme e futbollit të vogël me dhe, tërë qyteti zbarkonte aty me shikue
futboll të vogël, ku ekipet ndërroheshin tërë ditën. Këtu lindën futbollistët më të mirë të qytetit. Reshati, Maksuti, Qemal “gogla”, Vaca, vëllezërit Gjorgjeviq, Qapa, Qemal Halimi nga ‘Muhaxhir mëhalla’ – Rraci. Qemal “gogla” ishte tip i veçant, kur luante bënte edhe programe komike. Ishte atmoseferë impozante, ne fëmijët harronim të shkonim në shtëpi për ushqim, duke shikuar futboll.
Pastaj, u paraqit gjenerata e re e gilanasve që loznin futboll: Ekrem Rukovci, Tajar Berisha, Bashkim Ilijazi, Ramadani i ‘Muhaxher mëhallës’. Kështu, ekipet e qytetit ushqeheshin me futbollistë kualitativ. Në skaj të fushës ishin 6 VC. Pas fushës ishte shtëpia e doajenit të muzikës gilanase, Rashit Salijeviq, që kishte grupin muzikor. ‘Bandoja’ muzikore merrte pjesë në të gjitha manifestimet shtetërore me muzikë, por edhe me rastin e vdekjeve të familjeve serbe. Rashit Salijeviq kishte komponuar “vallën e Gilanit”, me 1962, e cila me 1963 u bë ‘singl disk’ i “Jugotonit”. E tërë familja ishin muzicientë, djali Bekteshi me dy fëmijët e vet ishte pjesë edhe orkestrit te hoteli “Evropa” dhe “Kristal”. Bekteshi ishte mjeshtër i harmonikës, Rashiti i trubës, fëmijet të bas gitarës dhe bubnjeve. Ata shkuan në Gjermani, shtëpia e tyre ende i qëndron kohës.
Afër konviktit ishte Shkolla Tetëvjeçare “Vuk Karaxhiq” qe, poashtu, ishte në formë të shkronjës “U” , ia kishte filluar punës me 1931. Kishte hyrjen për arsimatarë nga rruga kryesore, ndërsa për nxënës nga oborri. Ishte objekt dy katësh. Me kujtohet kur drejtor ishte Dragi Neshiqi, në vitet 1962, kur kalonte me violinë nëpër qytet. Nga kjo shkolle u regrutuan nxënësit e parë të shkollës “Musa Zajmi”. Para shkollës ishin dy kioska, një që shiste leblebia dhe kiosku ku punonte Bushatoviqi, që kishte bërë vetëvrasje duke kërcyer nga kati i tretë i spitalit.
Pas shkollës ishte çerdhja e fëmijëve, ku drejtoreshë ishte Makfire Uzunaliq, fqinja ime, e cila pos bukurisë rrezatonte me qëndrimin e vet dhe botën intelektuale që e posedonte. Ishte primadona e qytetit. Unë me 1978 isha mjek i kësaj çerdheje. I vizitoja dy herë në ditë fëmijët. Makfirja dhe edukatoreshat ishin të mrekullueshmme, sjelljet e tyre u ofronin fëmijëve afërsi prindërore. Në çerdhe fëmijët kalonin nëpër sokakun ku ishte mbarimi i shkollës fillore.
Ah Gilan! Ty t’i humbën edhe kartolinat që i blenim në kioska për t’ua dërguar të afërmëve tonë që kishin shkuar si punëtorë, shokëve të gjeneratës që studionin në qytetet e ndryshme të Jugosllavisë.
/Nesër, rrëfimi 11, pjesa 2/
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/