Qyteti i trëndafilëve, i blirëve, i dyqaneve…, qyteti i kujtimeve pafund!
Lexo me zë – jeta dikur…!
—————————————————————————–
KTHIMI NË KOHË!
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (9)
Në rrëfimin më të ri, dr. Shevqeti na sjell kujtime interesante, plotësisht reale, për kohën, vendin dhe njerëzit, për jetën…, gjithmonë origjinal, me fotografi e fjalë.
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Ishte ende në këmbë shtëpia jonë, po me duket se një erë e fortë do ta rrënojë. I ngjante plakut matuf, që është nisur në rrugën e fundit pa kthim…Para shtëpisë as qeni i mëhallës nuk po leh… /Izet Saraljliq/
9.
Aty ku është sot KFC (objekti biznesor përballë rrugës qendrore deri te kthesa për Prishtinë para Teatrit të qytetit) deri me 1963 ishin shitoret e ndërtuara në vitin 1923. Në fillim ishte shtëpia e Gata Simonoviqit që ishte dykatëshe, me nje ballkon te vogël, ndërsa në kulm gjendeshin dy piramida që i ngjanin ‘pagodave’ induse. Me 1947 shteti e ka konfiskuar këtë objekt dhe e ka bërë pronë shtetërore – shoqërore.
Në drejtim të rruges për ‘Çarshi mëhalle’ ishte shtypshkronja dhe shtëpia e Miçiqëve që ne i njihnim si Mersol. Në katin e parë të kësaj ndërtese të bukur ishte shitorja e tekstilit ku punonte xha Ismajli, në tabelë mbishkrimi shkruante “16 Nëntori”. Në shtyllat e rrymës elektrike në tërë qytetin ishin altoparlantat (mikrofonat) publik. Me rastin e festave shtetërore, përfaqësuesit politik nga ballkoni i shtëpisë së Gata Simonoviqit, deri me 1963, i drejtoheshin popullit. Fshatarët që vizitonin qytetin, kur dëgjonin fjalët në altoparlanta çuditeshin, u vinte shumë interesante.
Objektet tjera ishin njëkatëshe. Ishin dy hekurishtore ku punonin Mehmeti i Balecit dhe Aziz Kosovica. Pas shkatërrimit të këtyre objekteve, keta dy kaluan me shitoret e veta te Teknika Popullore. Pastaj vinin dy shitore koloniale, ku punonte Selami Brestovci, djali Ymerit dhe Shaban Llabjani. Xha Shabani që banonte ne ‘Karadak mëhallë’, në vitin 1967 u shpërngul në Turqi me familjen e vet. Këtu kishte dyqanin Toza sahatxhiu i njohur, që kishte shoqëri me Jupe sahatxhiun e shpërngulur në Çorli të Turqisë me 1957 dhe mban mbiemrin Geylan. Shitoret deri këtu ishin me çepenka.
Ne fëmijët e ‘Çarshi mëhallës’ gjatë muajit të Ramazanit i ngritnim lart çepenkat, duke u strehuar në pragun e gjerë të dyerve dhe dritareve. Por, çepenkat ndonjëherë lëshoheshin vet dhe ne mbeteshim brenda, pastaj bërtitnim për ndihmë! Xha Rrahimi, i cili e kishte shtëpinë në ‘Muhaxhir mëhallë’, ishte Huruglicë, shiste gazetat ditore të kohës, “Politika”, “Borba”, “Rilindja”. Aty pranë ishte Voja Bivollareviqi që shiste sheqerka të larme (shumëngjyrëshe), dardha të kuqe (të lyera me sheqer të djegur -krem). Në kënd ishte furra e shtetit, ku punonte Jusuf Pazvani, që shiste somun. Të shtuneve dhe gjatë panaxhyrit, ata që vinin nga fshatrat blenin somun dhe sheqerka të larme, uleshin në park duke shtruar sherveten…
Pranë shitoreve ishte trotuari, ndërsa para trotuarit parku i qytetit i rrethuar me taraba. Në park kishte shumë trëndafila të ngjyrave të ndryshme. Ne, femijët, në orët e vonshme të natës, gjatë muajit qershor, vidhnim trëndafila dhe lule bliri, qe nënat tona të bëjnë shurup dhe çaj bliri.
Qytetit i vinte aromë trëndëfili dhe bliri. Para se të fillohet ndërtimi i objektit e shkatërruan me mina përmendoren me yll, me 1962, kur e vendosën përmendoren e luftëtarit të plagosur të Anton Serzentiqit. Skulptura e luftëtarit ishte shpallur skulptura e vitit nga ana e eskpertëve te artit. Unë isha në klasën e katërt kur filloi ndërtimi i objektit ku do të vendoseshin kuadrot e qytetit. Mësuesi Sinan u zëvendësue me mësuesen Hatixhe, qe ishte nga rruga ime, ishte vajza e madhe e xha Shefikut.
Ah Gilan, ah zaman…, kujtimet nga kthejnë në çdo cep të qytetit e në çdo gjurmë…!
Në katin e parë ishte shtëpia e vjetër e mallrave e ndërmarrjes shoqërore “16 Nëntori”, organizatës më të madhe tregtare të qytetit e Anamoravës. Aty punonte Xhemail Daku në ushqimore, në tekstil punonte Rifat Sylejmani i Lashticës, ndërsa në shitjen e enëve dhe instalimeve të rrymës punonte dhëndri i Shefqet Mustafës. Në ndërtesë u vendosën dr. Mile – infektologu, Muharrem Gashi, dr.Naumi – gjinekologu, dr.Ismajli. Aty ku fillon ‘Çarshi mëhalla’ u vendos kioska e kaltër në të cilën shiteshin bukët dhe çaijat, aty punonte Hysen Saliqava dhe Qemail Dubova.
Pas transformimit shoqëror, në Shtëpinë e Vjetër të Mallrave u hap “Saraji” që shiste atrikuj ushqimore.
Çdo gjeneratë e faktorëve politik shkatërronte diçka nga e kaluara edhe pse ishte me vlerë të çmueshme, çdonjëri varroste kujtimet e të tjerëve, ndërsa ata krenoheshin se qytetit i ofronin senz! Shlyej vlerën dhe kulturën e ndërto harrnime dhe beton…
Blinat filluan të thahen, tarabat që rrethonin parkun i përdorën për djegieje. Emocionet i shtypën i bënë të presuara, ashtu që të formojnë një profil njeriu që i ngjan kukullave me bateri!
Kjo pjesë shikonte përballë një kohe varret e vjetra të qytetit, pastaj gjyqin e qarkut, tani po e shikon zyrën e kryetarit…
AH GILAN, AH ZAMAN! SI TA SHLYEN PA MËSHIRË ARKITEKTURËN ORIGJINALE DHE ARTIN E NATYRSHËM TË NDËRTIMIT!
AH GILAN, AH ZAMAN! KAH PO ECIM, KU PO SHKOJMË E KU DO TË ARRIJMË KËSHTU SI OBJEKTE…!
AH GILAN, AH ZAMAN! NA KANË BËRË SI MAKINA TË LODHTA QË MEZI DJEGIN KARBURANTIN QË VEÇ KUNDËRMON…!
Basara thotë jeta pa kujtime është e përgjysmuar… E, pra?!
Po ecim si hije qytetit, ku njëri vret trurin e tjetri rron në mendje, e kujtimet po na ndjekin me zërin qortues!
Ah Gilan – qyteti im i ëndrrrave të papërfunduara…!
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/