I kryesuar nga mikrobiologu Lul Raka, ka filluar punën Bordi Këshillëdhënës për COVID-19.
Në takimin e parë të këtij Bordi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se përmes formimit të këtij trupi, MSH-ja ka dashur që në mënyrë të veçantë të adresojë nevojën për të pasur informacione dhe këshilla profesionale rreth COVID-19 për një përgjigje sa më adekuate ndaj situatës me këtë sëmundje në Kosovë.
Lul Raka, pas mbledhjes tha se në këtë takim u diskutua për pikat kryesore dhe obligimet që janë para këtij bordi dhe tha se ky bord është këshillëdhënës dhe nuk ka kompetenca tjera.
“Sot ishte takimi i parë ku diskutuam për pikat kryesore që janë para këtij bordi. Ky bord është këshillëdhënës nuk ka kompetenca tjera. Çdo veprim që merret me adresimin e përballjes me COVID-19 të ketë prapavijë shkencore. Përkundër faktit që të dhënat shkencore po përditësohen dita ditës, mirëpo e jona është që t’i përcjellim dhe në bazë të këtyre të dhënave të japim rekomandimet dhe këshillat më të mira të mundshme për situatën aktuale”, tha Raka.
Kryesuesi i Bordit tha se në takimin e parë nuk janë futur në detaje, por vetëm i kanë shqyrtuar disa prej pikave organizative që kanë të bëjnë me adresimin e pandemisë COVID-19, por edhe të problemeve tjera.
Raka tha se testimi do të jetë një prej pikave ku ky Bord do të japë këshilla, ndërsa theksoi se do të këtë përmirësime edhe në testim e edhe në informim të popullatës.
Mikrobiologu Lul Raka tha se kompania “Kaktus”, në mënyrë vullnetare i është ofruar IKSHPK-së që ta ndihmojë në informimin e qytetarëve për rezultatet e testeve për koronavirus.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë tha se Bordi do t’i ofrojë kësaj ministrie këshilla në funksion të përmirësimit të shëndetit publik, parandalimit të sëmundjeve fizike dhe mendore të popullatës.
“Në hapat e mëtejmë pa dyshim që na duhen vendime të cilat mbështeten në dëshmi, ndërsa në këtë aspekt këto këshilla na duhen në të gjitha segmentet, duke përfshirë aspekte që kanë të bëjnë prej hulumtimit e diagnostikimit të rasteve e deri te trajtimi klinik i tyre, që sot për sot, paraqet sfidën me të madhe, duke qenë që numri i atyre që janë në spitalizim, apo atyre që do të mund të kërkojnë në të ardhmen tretman spitalor, është i lartë”, tha Zemaj.
Ai ka falënderuar edhe ish-ministrat e Shëndetësisë, Ferid Agani e Imet Rrahmani, që i janë përgjigjur pozitivisht ftesë për të kontribuar, duke theksuar se si ministër pret që Bordi të ketë një rol sa këshillues aq edhe kritik, në mënyrë që të identifikohen edhe mangësitë në masat e marra, “me qëllim që ta përmirësojmë dhe menaxhojmë më tej përhapjen e COVID-19”.