Gripi sezonal që zakonisht paraqitet nga muajt tetor, nëntor dhe dhjetor mund të përkeqësoj situatën me COVID-19 në Kosovë.
Mikrobiologu Lul Raka në një intervistë për televizionin Dukagjini thotë se është e nevojshme që këtë vit të vaksinohen rreth 500 mijë qytetarë.
“Këtë vit të njëjtën kohë do t’i kemi dy armiq. Normal që është më vështirë të luftojmë me dy armiq në të njëjtën kohë sepse edhe gripi sezonal do t’i konsumojë kapacitet spitalore pasi do të ketë njerëz të hospitalizuar edhe nga gripi”, deklaroi Lul Raka.
Sipas tij qëndrimi në ambiente të mbyllura do të jetë problem pasi shton mundësinë e përhapjes së gripit.
“Pikërisht për këtë arsye është kërkuar që të sigurohen 500 mijë vaksina. Me sa e di OBSH-ja tashmë ka siguruar 120 mijë vaksina për Kosovën, mirëpo pjesa tjetër do të sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë. Tenderi me sa e di unë tashmë është shpallur. Me këto vaksina do të ketë më shumë njerëz të imunizuar sepse kur e ke mundësinë të parandalojmë gripin me vaksinë pse mos ta bëjmë një gjë të tillë. Marrja e vaksinave sigurisht se do të ndikojë në uljen e numrit të rasteve me grip sezonal”, deklaroi Raka deri sa shtoi se parandalimi më i mirë është respektimi i rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
Përkeqësim të situatës me COVID-19 në muajin shtator ka paralajmëruar edhe kryeministri Avdullah Hoti.