Mikrobiologu Lul Raka është i bindur se nuk do të duhej të lejohej mbajtja e dasmave aktualisht në Kosovë. Thotë se me rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19 në vend, kjo çështje as nuk do të duhej të diskutohej.
“Mendimi im personal dhe profesional është që me këto numra s’ka çka diskutohet për dasma”, tha Raka për Klan Kosovën.
Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti ditë më parë vendosi që dasmat mund të mbaheshin nga 1 korriku i këtij viti. Por me ndryshimin e situatës epidemiologjike në vend, Hoti u shpreh se një vendim përfundimtar për këtë çështje do të merrej në ditë e parë të korrikut.
Ndërkohë, Raka mendon se me pishinat situata është ndryshe. Thotë se hapja është e mundur nëse mund të ofrohet sigurimi i masave parandaluese.
“E për pishina është e njëjta sikurse me institucionet tjera sepse element tjetër ndoshta pozitiv në pishina është klori, dezinfektimi me klor. Mirëpo nëse hyn 200 vetë në pishinë që është 20 metra me 50 aty nuk ka kontroll. Tash sa mundet me i zbato ato masa pishina, sa mundet me i kontrollu në këtë nxehtë kur hip temperatura kush i ndal 500 vetë me shku në bazen. Dojnë me u la, me u fresku. Është vendim që duhet me balansu sidomos te pishinat se te dasmat unë s’kam dyshime për vete”, tha Raka.
Të martën në Kosovë janë konfirmuar edhe 79 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 2.878. Aktualisht raste aktive me koronavirus janë 1.250 derisa 51 persona kanë humbur jetën. /Reporteri.net/