Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u ka bërë thirrje serbëve që të bojkotojnë zgjedhjet që janë duke u mbajtur në katër komunat veriore të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rakiq i ka quajtur zgjedhjet ilegale, duke e përmendur edhe Kurtin në disa pjesë.
“Për shkak të çdo serbi të arrestuar padrejtësisht; për çdo gënjeshtër të thënë nga Kurti; për çdo plumb të gjuajtur ndaj fëmijëve serbë; për shkak të represionit të përditshëm që pëson populli serb; për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm të serbëve nga njësitë speciale në veri; për shkak të frikës në mesin e serbëve që mbjellin politikat e Kurtit, për çdo vend të shenjtë të përdhosur serb dhe çdo monument të shkatërruar, për shkak të moszbatimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara!! Bojkotimin e zgjedhjeve jolegjitime dhe ilegale”, ka shkruar Rakiq.
Kujtojmë që Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet e 213 prillit, pasi kanë kërkuar krijimin e asociacionit dhe largimin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe./GazetaSinjali/