Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një paneli në Chatham House me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian” theksoi se Kosova duhet të përqendrohet në realizimin e të gjitha pikave të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duke lënë mënjanë Serbinë.
Rama u shpreh se nuk ekziston asnjë çështje territoriale mes Kosovës dhe vendeve të tjera, duke theksuar se territori i Kosovës është i përcaktuar dhe se ajo është një republikë e re demokratike, e njohur nga fuqitë kryesore botërore, megjithëse ende jo nga pesë vende të BE-së.
Ai shtoi se Kosova duhet të avancojë dhe të forcojë pozicionin e saj në botën demokratike dhe në Bashkimin Europian, ndërsa në procesin e dialogut duhet të përmbushë të gjitha kërkesat, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.
Në këtë mënyrë, sipas Ramës, Kosova do t’i lërë Serbisë “topin në fushë”, duke i hapur rrugë Europës që të merret me Beogradin dhe duke shmangur fajësimet reciproke mes dy vendeve.
“Kosova që të jetë e suksesshme duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha ato pika që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht Serbisë,” tha Rama, duke shtuar se respekton plotësisht vendimet e udhëheqësve të Kosovës.