Një ditë para ndeshjes mes FC Drita dhe FC Ferizaj, kryetrajneri i skuadrës gjilanase, Zekirija Ramadani, është shprehur optimist për vazhdimësinë e formës së mirë të ekipit, megjithëse pret një sfidë të fortë në fushë.
“Na pret një ndeshje e vështirë, por mendoj që ekipi ka kapur ritmin dhe formën e duhur. Jemi në një seri pozitive dhe shpresoj që me angazhim, mund dhe vrap të vazhdojmë tutje,” u shpreh Ramadani në konferencën para ndeshjes.
Tekniku i Dritës theksoi se objektivi i klubit mbetet i pandryshuar — dalja në Evropë përmes kampionatit.
“Objektivi ynë është i njëjtë: kampionati të na dërgojë në Evropë. Ekipi është mjaft serioz, qoftë për garat evropiane, apo për kampionat,” shtoi ai.
Ramadani bëri të ditur se skuadra po ndjen përmirësim të dukshëm në aspektin fizik dhe mendor, duke u përshtatur më mirë me ritmin e garave.
“Ekipi ka marrë veten, po ambientohet ndryshe, po pushon më mirë dhe po e përballon më lehtë ngarkesën që vjen nga ndeshjet çdo tre ditë,” theksoi trajneri.
Sa i përket përbërjes, Ramadani konfirmoi se nuk do të ketë mungesa për takimin e nesërm, ndërsa synimi mbetet i qartë: tre pikët.
Ndeshja mes FC Drita dhe FC Ferizaj zhvillohet të dielën, në orën 13:00, në Stadiumin ndihmës “Te rrethi” në Gjilan.










