Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani tha sot se situata epidemiologjike në Kosovë është më e mira në rajon dhe në Evropë.
Ai e bëri këtë koment gjatë një konference për media ku u fol për fillimin e vitit të ri shkollor.
“E kemi një situatë epidemiologjike më të mirën në rajon dhe Evropë, sepse vala në vendet e jashtmë është duke u ngritur kurse te ne duke rënë”, tha Ramadani.
Drejtori i IKSHPK-së tha se të gjitha shkollat kanë marrë përgjegjësinë duke përgatitur në detaje të gjitha parakushtet për një hapje më të mirë.
Ai tha se hapja e shkollave ndodh në një situatë tejet të kënaqshme me pandeminë e kjo, sipas tij, është pas peripecive të kaluara nga institucionet shëndetësore, të cilat, shtoi ai, kanë punuar që 8 muaj pa asnjë ditë pushimi.