Drejtori i Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani ka thënë se ka mjaftueshëm teste për Covid-19 në vend.
Në konferencën e përbashkët me ministrin e ri të Shëndetësisë, Armend Zemaj – drejtori i IKSHPK’së është shprehur se secili qytetarë që ka shenja epidemiologjike do të testohet.
Sipas tij, në momentin që do të ketë nevojë për teste të reja, kërkesën do t’ia drejtojnë Ministrisë së Shëndetësisë.
“Instituti Kombëtar është i furnizuar mjaftueshëm me teste dhe po bëhen përditë teste në bazë të indikacioneve epidemiologjike, dhe asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës nuk do të mbetet pa u testuar sipas këtyre indikacioneve dhe në momentin që do të ketë nevojë për teste të reja ne do t’i kërkojmë dhe Ministria e Shëndetësisë është e gatshme, na ka mbështetur dhe do të na mbështet”, ka thënë Ramadani.
Në anën tjetër edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka konfirmuar se momentalisht Kosova ka teste për Covid-19.
“Unë jam duke i pranuar të gjitha informacionet për gjitha shërbimet që kanë ndodhur gjatë pandemisë, aktualisht ashtu siç më është paraqitur realisht nga administrata besoj që furnizimi është në gjendje të mirë, por nuk do të thotë që mund të përmirësohet dhe ta kemi situatën nën kontroll”, është shprehur ai.
Gjatë kësaj konference, ministri Zemaj ka prezantuar vendimet e reja kundër COIVD-19. Ai ka bërë të ditur se nga e hëna do të largohet tërësisht kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe se qytetarët do të kenë të drejtë të dalin 24 orë, por që me kujdes të shtuar.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se nga e hëna të gjithë qytetarët që vijnë nga Shqipëria nuk kanë nevojë të hyjnë në vetëizolohen.
Numri i të infektuarve në Kosovë deri tani ka arritur në 1 mijë 158 derisa janë shëruar 876 persona e kanë humbur jetën 30 të tjerë.