Java e 16-të sjell ndeshjen FC DRITA – FC Feronikeli 74.
Paraprakisht, FC Drita mbajti konferencë ku folën kryetrajneri, Zekirija Ramadani dhe futbollisti, Muharrem Jashari.
Trajneri, Zekirija Ramadani tha se kemi respekt maksimal për kundërshtarin, por jo më shumë se për veten.
“Nesër nis rrugëtimi im te DRITA dhe debutimi asnjëherë nuk do jetë i lehtë pasi kemi mbajtur vetëm pesë seanca stërvitore, por me 70% të futbollistëve njihemi dhe ma njohin mentalitetin. Edhe ekipin e Feronikelit e njoh dhe flitet për një skuadër me mjaft futbollistë me përvojë. Nuk do jetë e lehtë aspak, ne kemi respekt maksimal për çdo kundërshtar deri kur të filloj ndeshja pastaj do kemi respekt maksimal për veten. Unë jam i bindur se do të nxjerrim maksimumin në këtë ndeshje dhe objektiv për DRITËN gjithmonë është fitorja”, ka thënë trajneri Ramadani.
Ndërsa, futbollisti Muharrem Jashari tha se janë përgatitur maksimalisht dhe janë të motivuar.
“E dijmë që nesër na pret një ndeshje e vështirë, duke e parë çfarë futbollistë ka Feronikeli. Edhe në ndeshjen e parë na kanë shkaktuar shumë probleme dhe jemi të motivuqr shumë dhe shpresoj të kthehemi te fitorja”, ka thënë Jashari.
Për lojën dhe ndryshimet foli trajneri, Zekirija Ramadani.
“Do të ketë ndryshime në lojë, më tepër lojë ofanzive, por do t’i përshtatemi edhe kundërshtarit. E kam guximin, por edhe njohja e futbollustëve ma mundëson çfarëdo formacioni. Është e rëndësishme të gjeni mënyrën e motivuar, nuk jam rob i një sistemi, por në bazë të brumit dhe ekipit që kam. Ne do të luajmë gjithmonë për një gol më shumë se kundërshtari”, ka thënë Ramadani.
Trajneri njoftoi se për nesër nuk do të ketë mungesa.