Në konferencën e sotme për media u deklaruan kryetrajneri Zekirja Ramadani dhe futbollisti Almir Ajzeraj.
Trajneri Ramadani u shpreh se, sa i përket takimit të nesërm përballë Llapit, si vendas ashtu edhe si mysafir, ata janë një super ekip dhe gjithmonë i papërshtatshëm. “Ne e dimë objektivin tonë dhe duhet të japim maksimumin, edhe pse të enjten kemi zhvilluar ndeshjen e fundit. Nuk duhet të arsyetohemi në këtë mënyrë, por ta kemi në fokus vetëm objektivin tonë.
Nëse arrijmë ta marrim trepikëshin duke dhënë gjithçka nga vetja, edhe pse do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, fitorja përballë Llapit do ta ndihmonte ekipin edhe në aspektin psikologjik për përballjen e radhës në Slloveni. Unë u besoj futbollistëve dhe ekipit, dhe jam i bindur se nëse e përsërisim pjesën e dytë siç ishte ditën e enjte, nuk ka skuadër që do të na ndalë në Superligë,” potencoi trajneri Ramadani.
Ndërsa futbollisti Ajzeraj tha: “Nesër kemi një kundërshtar të vështirë, por si gjithmonë presim një ndeshje derbi dhe synojmë të dalim me tre pikë. Edhe pse kemi ndeshje njëra pas tjetrës, klubi na qëndron gjithmonë mbrapa duke na ofruar kushte për rigjenerim, në mënyrë që të jemi 100% të gatshëm. Ashtu edhe nesër, jemi gati ta sigurojmë trepikëshin,” përfundoi Ajzeraj.

