Në 24 orët e fundit në Kosovë prej 491 mostrave të testimit, me COVID-19 kanë rezultuar 193 persona, 8 persona e kanë humbur betejën me këtë virus, ndërsa 205 persona janë shëruar.
Të dhënat e testimeve sot u bënë të ditura nga Gjakova, komunë të cilën këtë të enjten e vizitoi ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Gjatë kësaj vizite ai u shoqërua nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Kransiqi dhe drejtori i Institut Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se gjatë kësaj vizite janë njoftuar për gjendjen dhe aktivitetet e ndërmarra në Gjakovë në luftimin e pandemisë.
Ai tha se nga sot Spitali Regjional i Gjakovës do ketë edhe një autoambulancë moderne dhe dy respiratorë e pajisje mbrojtëse.
Zemaj tha se nga procesi i rekrutimit të mjekësve dhe specializantëve do përfitojnë edhe QKMF-të dhe Spitali Regjional i Gjakovës.
“Sot kemi ardhur me një autoambulancë nga SHSKUK si donacion i partnerëve ndërkombëtarë dhe taksapaguesve evropianë që po kujdesen që bashkërisht ta luftojmë pandeminë edhe me disa mjete përcjellëse”, ka thënë ndër tjerash ministri Zemaj.
Ndërsa drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se në 24 orët e fundit, prej 491 mostrave të testimit, 193 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, kurse janë raportuar 8 vdekje.
Ramadani tha se qytetarët tashmë kanë nisur t’i respektojnë masat dhe kjo sipas tij, po vihet re falë rënies së lehtë të numrit të rasteve të të prekurve nga SARS-COV2.
Ai tha se në 24 orëshin e fundit janë shëruar 205 pacientë.
“Tashmë jemi në rrugë të mbarë. Që disa ditë nga java e kaluar kemi qenë shumë të stabilizuar në situatën epidemiologjike dhe po vazhdojmë me këtë stabilitet. Qytetarët kanë filluar t’i respektojnë masat dhe kjo vërehet në rënien graduale – të lehtë të moderuar mund të them – të ngadalshme por të sigurt drejt uljes së lakores emidemiologjike. Në 24 orët e fundit, në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare në IKSHP me metodën PCR tashmë janë testuar gjithsej 491 mostra, të marra nga SHSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren që rezultojnë me 193 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se spitalet edhe klinikat e QKUK-së vazhdojnë të jenë të mbushura me pacientë të infektuar me coronavisur.
Deri në këto momente ai tha se në këto hapësira spitalore ndodhen 589 pacientë.
Kështu, sipas tij, gjendja klinike e pacientëve vazhdon të jetë e rënduar.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini derisa ka falënderuar stafin mjekësor për punën e palodhshme, ka kërkuar më shumë kujdes nga qytetarët.
Ai tha se çerdhet në këtë qytet nuk do të hapen derisa të testohet i gjithë personeli edukativ i çerdheve dhe kopshteve.
Gjini tha se njëjtë do të ndodhë edhe me shkollat varësisht nga vendimi që merret. /KP/