Mbase duke marrë shkas nga e kaluara politike e kryeministrave të Kosovës, që nga paslufta e gjer më sot, Serbia nuk e ka ndaluar kurrë mënyrën e papranueshme e agresive të sjelljes dhe të veprimit të saj në raport me Kosovën dhe shtetin e saj.
Agresiviteti i shtetit fqinj përshkallëzohej në forma të ndryshme. Mirëpo në të shumtën e rasteve ajo e shfrytëzonte shantazhin ndaj klasës politike në Kosovë, për të mos e ndalë kurrë marshimin e saj ekonomik në Republikën e Kosovës.
Shteti që kishte bërë gjenocid në popullin e Kosovës e ushqente po atë popull, e vishte e mbathte, me prodhime e produkte të veta, të cilat, në forma zyrtare dhe jo zyrtare, kapnin shifrën deri në 700 milion euro në vit.
Pra, Serbia e kishte humbur de jure Kosovën, por ekonomikisht ajo ndodhej në Kosovë më shumë sesa në kohën e pushtimit të saj klasik. Kosova Republikë u bë tregu i saj numër një, prej së cilës i mblidhte devizat në euro.
Tregu serb në Kosovë është numër një dhe frymon serbisht. E shqiptarët e mjerë e paguanin sërish vrasësin e tyre, por kësaj radhe me valutën e Zonjës së Vjetër.
Në një përkthim tjetër i bie që Serbia në aspektin ekonomik kurrë nuk e kishte braktisur Kosovën. Ajo ishte brenda saj me shqipfolësit e fuqishëm tregtarë.
Mirëpo, dhe vjen një ditë, dhe vjen Ramush Haradinaj Kryeministër. Dhe Serbia për herë të parë e kupton realisht kush është Komandanti nga Rrafshi i Dukagjinit. Dhe këtu fillon fabula politike e largimit të Serbisë prej Kosovës përfundimisht.
Me Ramush Haradinajn, me njeriun që e la postin e Kryeministrit njëherë e një kohë, me aktakuzë të mbledhur e tubuar në Beograd nga shumë shërbëtorë të saj në Kosovë dhe nuk iu shmang për asnjë çast drejtësisë dhe së vërtetës.
Dhe Presidenti Vuçiq, duhet ta dinë besoj se ky njeri i takon brezit që formuan tri ushtri (UÇK) në tri shtete për tri vjet. Dhe atij më mirë do t’ia qesë ta respektojë Kosovën, të paktën, sa gjysma e asaj që e respekton Kosova Serbinë.
Në të kundërtën ky është vetëm fillimi. Dhe ky nuk është kërcënim. Por është e vëretë e një mini analize sepse kësaj radhe Republika e Kosovës ka Kryeministër Ramush Haradinajn.
Një njeri që lidhet vetëm për të vërtetën. Në këtë pikë do të gjunjëzohet e pavërteta e ish- pushtuesit përfundimisht.