Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë sinjale se do të rrëzohet Qeveria nëse marrëveshja që do të nënshkruhet sot në Shtëpinë e Bardhë përfshin edhe liqenin e Ujmanit.
Haradinaj ka deklaruar se është kundër një marrëveshjeje që i mundëson përfshirje Serbisë në resurset e Kosovës, në këtë rast në Ujman.
Partneri i koalicionit qeverisës i ka çuar mesazh kryeministrit Hoti se mund të rrëzohet nga pozita e shefit të Qeverisë nëse nënshkruan një marrëveshje ku i jep qasje Serbisë në liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës.
“Kjo do të ketë ndikim të madh në të gjitha marrëdhëniet që kemi politike, sepse AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje dhe as në çfarëdo forme, që të ndihmojë në një marrëveshje ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka thënë ai për REL-in.