Kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, Ramush Haradinaj ka vazhduar kritikat ndaj kundër-kandidatëve dhe subjekteve tjera politike.
Derisa për Albin Kurtin tha se po mundohet të zbulojë diçka që u ka dështuar udhëheqësve komunistë, për LDK-në tha se është bashkëfajtore për kapjen e shtetit. Kurse, për Kadi Veselin e përsëriti se kur flet se do ta luftojnë korrupsionin, i bie sikur të flet për 1 Prill.
Haradinaj këto komente i bëri në tubimin që e mbajti në Prishtinë, ku shtoi se kur në Prishtinë dhe jashtë saj, kanë nisur t’i fusin ‘gërshërët’ për ta ndarë Kosovën, AAK dhe PSD janë bashkuar për ta ndalur këtë ndarje.
Ai shtoi se AAK-PSD mund ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ndërkohë, foli për premtimet e subjekteve tjera, ndërsa kritikoi kundërkandidatët për kryeministër dhe subjektet tjera politike.
“Për shembull Albini dhe politikat e tij ekonomike, iu sigurojë që nuk ekzistojmë më në krejt botën. Atij i ka mbet merak ndonjëherë që nuk ka pas sukses dikush dhe po mundohet mos ky rastësisht me zbulua atë që nuk kanë mundur ata udhëheqësit komunist, ky po ka qejf edhe një herë me u kthyer dhe ato politika me pas sukses….Nëse e marrim kush ka qenë më së gjati në pushtet ka qenë në pushtet është PDK dhe tanimë dihet merita e tyre për gjendjen në vend por edhe LDK ka qenë po aq gjatë në qeverisjen në vend dhe është bashkëpjesëmarrëse në plot procese që i kanë ndodhë vendit. Nëse ka të mira le ta marrin meritën por nuk mund t’i ikin fajësisë, pra edhe për kapjen e shtetit. PSD nuk ka qenë në pushtet në nivel nacional. AAK nuk ka qenë gjatë në qeverisje nacionale dhe nuk mund të ia atribuon dikush kapjen e shtetit.
Kurse, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti tha lavdëroi qeverinë Haradinaj duke thënë se solli ligjin për kryeqytetin pa shikuar interesa personale e politike.
Ai foli për qeverisjen në komunën e Prishtinës, duke thënë se qendrat e mjekësisë familjare janë model se si duhet të kenë komunat tjera të Kosovës.
Ahmeti u zotua se brenda vitit të parë do ta kemi në fuqi dhe do ta zbatojmë Fondin e sigurimeve shëndetësore, si pjesë e sigurimeve shoqërore, që i përmirëson kushtet për mjekët por në të njëjtën kohë siguron që secili qytetar ta ketë kujdesin që e meriton nga institucionet tona shëndetësore.
Ndërsa, duke folur pas vizitës së Haradinajt, në ShBA, Ahmeti tha është rreziku për një republikë brenda republikës së Kosovës.
Ish-deputetja Shqipe Pantina tha kanë mbetur edhe 10 ditë kur do të shënohet fitorja e koalicionit AAK-PSD, koalicion për të cilin janë 100 arsye pse duhet të votuar.
Përndryshe, në këtë tubim u tha se më 3 tetor, koalicioni AAK-PSD do ta mbaj tubimin përmbyllës në sheshin ‘Skënderbeu’.