Ministria e Punëve të Jashtme ka treguar se kanë tentuar të kontaktojnë me autoritetet serbe pas raportimeve për vdekjen e Artan Zymberajt në burgun e Serbisë.
MPJD në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovës iu është komunikuar se nuk kanë arritur të marrin ndonjë informatë që mund ta konfirmojnë rastin.
“Me të marrë njoftimin për rastin e Artan Zymberajt, të premten në mëngjes, më 2 dhjetor 2022, Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd ka kontaktuar me autoritetet serbe, respektivisht me Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për ta konfirmuar rastin. Nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë na është komunikuar se janë duke u përpjekur të marrin të dhënat e nevojshme nga autoritetet tjera serbe, por deri tani nuk na kanë ofruar ndonjë informatë me të cilën e konfirmojnë rastin. Po ashtu, mediat serbe nuk kanë raportuar për vdekjen e z. Artan Zymberaj”.
Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Beograd dhe ambasada e Republikës së Kosovës në Norvegji janë në kontakt dhe në dispozicion të familjes Zymberaj.