Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq nuk është i përfshirë vetëm në ngjarjet e fundit terroriste në veri. Ai edhe më parë ka udhëhequr atje grupe kriminale të cilat në vazhdimësi kanë shkaktuar destabilizim në komunat veriore të vendit.
Deri në 15 mijë euro ka shkuar pagesa për ti djegur veturat me regjistrim të Kosovës në veri të vendit. Milan Radoiçiq, i cili tashmë u konfirmua edhe si organizator i sulmeve terroriste në veri të vendit, gjatë këtij viti ka dhënë shuma të mëdha parash për ti djegur veturat e qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës.
Sipas RTK-së, Radoiçiq dhe grupi i udhëhequr nga ai kanë dhënë deri në 15 mijë euro për t`i djegur veturat e qytetarëve që i regjistronin me targa RKS.
Sipas këtyre burimeve, Radoiçiq ka organizuar grupe të ndara për secilën nga katër komunat veriore që kanë targetuar veturat me targa të Republikës së Kosovës (RKS).
“Bazuar në të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë këtij viti në Zubin Potok janë 2 vetura të djegura, derisa në Leposaviq janë regjistruar 5 raste të hapura të zjarrit, ku janë të djegura 9 vetura. Kësaj i shtohet edhe rasti i denoncuar sot, ku një ankuese kosovare në Leposaviq ka raportuar se para shtëpisë i është djegur vetura, pronë e bashkëshortit të saj. E njëjta po ashtu deklaron se në kohën e incidentit ka vërejtur dy persona me kapela, të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur”, ka thënë Policia e Kosovës.
Përtej aktiviteteve kriminale ndaj shtetit të Kosovës, Radoiçiq në raste të caktuara, përmes mesazheve në forma të ndryshme, mësohet se është paraqitur me tone kërcënuese edhe ndaj serbëve të Kosovës.