Riad Rashiti ka ngritur akuza të rënda ndaj Komunës së Gjilanit, duke e akuzuar për moszbatimin e ligjit për transparencë dhe për fshehjen e raporteve, vendimeve dhe dokumenteve zyrtare shkruan Radio Star.
Sipas tij, Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka detyruar kryetarin e komunës të dorëzojë raportet dhe dokumentet e kërkuara nga PDK-ja, të cilat janë adresuar përmes postës elektronike më 11 mars 2024.
Shkrimi i plotë:
Komuna e Gjilanit nuk po e zbaton ligjin për transparencë dhe po vazhdon me fshehje të raporteve, vendimeve dhe dokumenteve zyrtare.
Agjensioni për Informim dhe Privatësi e detyroi kryetarin e komunës së Gjilanit për t’i ofruar PDK-së raportet dhe dokumentet e kërkuara përmes postës elektronike të adresuara me 11 mars 2024.
Pra, pas 160 ditëve PDK mori përgjigjet lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me punën e kryetarit të komunës së Gjilanit, e kjo flet më së miri se sa ka transparencë qeverisja komunale e udhëhequr nga një organizatë e dështuar, prandaj komuna e Gjilanit sipas raporteve të ndryshme është vlerësuar e fundit për transparencë. Në Kuvendin Komunal kjo qeverisje nuk raporton fare, nuk i përgjigjet pyetjeve të asambleistëve, nuk i përgjigjet kërkesave zyrtare përmes postës elektronike, pra këta duan terr informativ për qytetarin e Gjilanit.
Keqpërdorimet e vazhdueshme me buxhetin komunal janë arsyet kryesore që kjo qeverisje komunale nuk e zbaton ligjin dhe nuk i publikon raportet dhe vendimet e kryetarit të komunës.
Për përmbajtjen e përgjigjeve që i kemi pranuar me shkrim nga zyra e kryetarit dhe institucionet tjera do të publikohen së shpejti ditëve në vijim, në mënyrë që të informohet publiku për të gjitha ato dukuri negative dhe dështimet e jashtëzakonshme të kësaj organizate që po keqpërdor gjithçka që po i vjen mundësia.