Korab Rashiti, deputet në Kantonin e Bernit, ka kërkuar që partitë politike të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Duke i komentuar thirrjet e BE-së që të respektohet ky aktgjykim, ai ka vlerësuar se evropianet po kërkojnë që VV-ja t`i nënshtrohet ligjit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar ditët në vijim do të jenë vendimtare për drejtimin që do të marrë Republika e Kosovës.
“Bashkimi Evropian, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, tashmë kërkon me qartësi që të respektohet rendi kushtetues. Me fjalë të tjera – dhe duke lexuar mes rreshtave – kërkesa është që lideri i LVV-së t’i nënshtrohet shtetit të së drejtës. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për drejtimin që do të marrë Republika: Ose ai na fundos të gjithëve me vete, ose tërhiqet, shkon në Norvegji dhe ia hap rrugën demokracisë. Nuk ka më se dy zgjidhje – tani është momenti për vendime të guximshme dhe të qarta”, ka shkruar ai.