Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar në mbështetje të protestës së bizneseve, duke e cilësuar atë si një alarm për rrezikun ekonomik që po i kërcënon të gjithë.
Ai akuzon Qeverinë dhe ZRRE-në për pazare të fshehta me kompanitë e energjisë, të cilat, sipas tij, po dëmtojnë rëndë ekonominë vendore dhe vendet e punës.
Statusi i plotë:
Protesta e bizneseve nuk është thjesht një shprehje “inati”, por një alarm për rrezikun ekonomik që po i kërcënon të gjithë. Bizneset që protestojnë nuk e bëjnë këtë vetëm për veten, por për ekonominë e tërë vendit tonë.
Bllokimi i rrugëve nga bizneset është një shprehje e revoltës kundër papërgjegjësisë dhe e hajnisë së pushtetit nga marrëveshjet e fshehta të Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) me kompanitë tregtare të energjisë.
Këto pazare të qeverisë po e kërcënojn mbijetesën ekonomike të qindra bizneseve dhe vendeve të punës.
Ekonomia nuk është eksperiment. Energjia nuk është luks. Është jetike për funksionimin e fabrikave, bizneseve dhe tërë rrjetit të ekonomisë vendore.
E vlerësoj se të gjithë duhet të mbështesim këtë protestë të bizneseve, që janë në mbrojtje të interesit ekonomik dhe dinjitetit të çdo qytetari dhe biznesi në këtë vend.