Opinion nga Valon Rashiti
Duke ndjekur trendin e ndryshimit, por edhe për shkak të pakënaqësisë me ish-qeverisjet komunale në Gjilan, pata vendosur që në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ta votoj kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Alban Hysenin.
Paraqitja e tij serioze nëpër debate televizive dhe programimi i tij elektoral ma kishin mbushur mendjen se njëmend është i duhuri për Gjilanin, qytet ky i harruar nga të gjitha qeveritë pasluftës.
Tash kur jam kthyer për të ri-dëgjuar deklarimet e Hysenit dhe për të parë se çfarë më bëri ta votoj këtë person për kryetar, krejtësisht të papërvojë dhe i padëshmuar më herët, shoh se gjykimi im më shumë kishte të bënte me dëshpërimin e paraprakëve.
E kisha bindur vetën subjektivisht se më mirë një e panjohur alternative se një e njohur dëshpëruese.
Pas dy vitesh mund të them përfundimisht se vendimi për ta legjitimuar një kryetar që përkundër se po i kryhet mandati nuk ka arritur për ta finalizuar asnjë projekt të madh për qytetin, ishte gabim trashanik që nuk duhet përsëritur.
Pse?
I mbështetur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fushatë parazgjedhore, Hyseni shprehej i bindur që i duhej vetëm pak kohë që Gjilanin ta bëjë me autostradë dhe stadium, projekte këto shumë të rëndësishme për qytetarët dhe sportdashësit e qytetit.
Stadiumi e autostrada kanë ngecur në premtimin elektoral të Hysenit.
Në listën e gjatë të dështimeve të Hysenit, janë mos rregullimi hyrjeve daljeve të qytetit dhe projektit të impiantit të ujërave të zeza.
Gjatë fushatës, Hyseni shprehej i bindur se posa të bëhej kryetar në sistemin shëndetësor do të krijohet platforma për caktimin e terminëve online për vizita dhe analiza dhe do të ndërtonte dy nënkalime në qendër të qytetit, por dështoi.
Njëjtë si kryetarët e tjerë, edhe Hyseni i ka favorizuar familjarët e bashkëpartiakëve të tij në konkurse për arsimtarë e profesorë, por edhe u ka ndarë subvencione për “start up” pa kritere eksponentëve të partisë në pushtet pa u turpëruar fare.
Ndërsa një projekt që u prezantua me shumë pompozitet në muajin e fundit të vitit 2023, ai i parkut “Banja” në Gjilan të cilin e kishte përuruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kryetarin Alban Hyseni, është bërë strehë e narkomanëve të qytetit.
Është një ngërç politik dhe administrativ në Gjilan, i cili nuk dihet kur mund të debllokohet dhe të funksionalizohet dhe ky ngërç vjen si pasojë e mos menaxhimit të mire të punëve dhe personave të pa papërvojë që janë angazhuar në drejtori e pozita kyçe në institucionet komunale.
Qyteti i Gjilanit pos Vali Ranch-it që njihet si atraksion turistik, nuk ka çka t’i ofrojë gjë tjetër njerëzve që vendosin ta vizitojnë.
Në vitin e fundit të mandatit të tij si kryetar, Alban Hyseni “është zgjuar nga gjumi” dhe ka njoftuar se për çdo javë do të prezantohen projektet më të mëdha për vitin 2024-25 të cilat sipas tij, do të transformojnë qytetin.
Por, manipulimeve, mashtrimeve e kamuflimeve po u vije fundi, sepse Gjilani meriton më shumë dhe më mirë dhe qytetarët e Gjilanit kanë mundësi që ta përmirësojnë gabimin. Zgjedhjet po afrojnë.