Pas nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, kryetari i degës së PDK-së në këtë komunë, Riad Rashiti, ka reaguar duke e quajtur këtë një lajm të mirë për qytetarët, por një dështim për ata që, sipas tij, kishin plane të tjera për përfitime personale.
Ai ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si është menaxhuar projekti ndër vite, duke përmendur zvarritje procedurale, shkelje në tenderim dhe një dallim të madh në kosto mes versionit të komunës dhe atij të Ministrisë.
Rashiti ka kërkuar përgjegjësi nga kryetari Hyseni dhe ka bërë thirrje për transparencë dhe hetim të plotë të rastit.
Statusi i plotë:
Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit është padyshim një lajm i mirëpritur për sportin dhe qytetarët e komunës. Pas këtij lajmi pozitiv qëndron një histori më e errët që ngre shumë pikëpyetje rreth mënyrës si është menaxhuar ky projekt ndër vite.
Komuna e Gjilanit ka humbur më shumë se tri vite në procedura të zvarritura të projektimit dhe tenderimit për këtë stadium. Disa herë janë ngritur dyshime serioze se projektimi dhe kriteret e tenderit janë manipuluar me qëllim të favorizimit të një kompanie të caktuar dhe përfitimeve personale të zyrtarëve komunalë.
Disa nga faktet shqetësuese janë:
• Projekti i stadiumit u ndryshua me arsyetimin për “përmirësim”, por efekti praktik ishte rritja e kostos për disa miliona euro.
• Tenderi fillestar i komunës përmbante kritere të cilat u cilësuan të jashtëligjshme nga autoritetet përkatëse.
• OSHP e anuloi këtë tender disa herë për shkak të shkeljeve të konstatuara në procesin e prokurimit.
• Për shkak të këtyre shkeljeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mori përsipër të zhvillojë procedurat e tenderimit.
• Tenderi i realizuar nga ministria rezultoi 2.2 milion euro më i lirë sesa ai i komunës – një diferencë e konsiderueshme që ngre dyshime të mëdha.
• Në vitin 2024, komuna kishte përzgjedhur një ofertë prej 14,997,804.00 euro, në kundërshtim me ligjin e prokurimit, ndërkohë që Ministria ka nënshkruar kontratën për të njëjtin projekt për vetëm 12,783,110.01 euro.
Këto të dhëna duhet të shqetësojnë çdo qytetar dhe taksapagues të Gjilanit. Diferenca prej mbi 2.2 milionë eurosh është një barrë e rëndë për buxhetin publik dhe tregon përpjekje për keqpërdorim të fondeve shtetërore.
Z. Alban Hyseni, si kryetar i komunës, duhet të japë shpjegime të qarta për këtë dallim të madh në çmim dhe për dështimet në menaxhimin e këtij projekti. Heshtja e tij për çmimin, po maskohet me kinse gëzimin e tij dhe shprehjen e mosbesimit nga ana e tij se ky projekt po nis më në fund.
Ky rast është vetëm një nga shembujt që tregojnë se qeverisja komunale ka nevojë për transparencë dhe përgjegjësi më të lartë. Organet e hetuesisë duhet të vazhdojnë punën e tyre për të zbardhur të gjitha aspektet e këtij rasti, sepse drejtësia nuk duhet të vonojë.
Qytetarët e Gjilanit meritojnë më shumë. Viti 2025 duhet të jetë vit i ndryshimit dhe fillimit të një qeverisjeje të ndershme, të përgjegjshme dhe në shërbim të interesit publik.