Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti special, ende nuk ka marrë vendim për gjykim në mungesë për 42 të akuzuarit, për sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri, Afrim Bunjaku. Këtë e kanë bërë të ditur për RTK-në nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndërkaq seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj tre të akuzuarve të cilët gjenden në paraburgim, do të mbahet më 17 prill.
Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, e të cilët gjenden në paraburgim, të enjten e 17 prillit pritet të dalin para drejtësisë në Kosovë.
Avokati i Familjes Bunjaku, Arianit Koci, po konsideron se mund të mbahet edhe gjykim në mungesë, mirëpo ai po kërkon nga gjykata që rasti të trajtohet seriozisht pasi vë në theks se ky rast nuk ka të bëjë vetëm me familjen e heroit Afrim Bunjaku as me gjyqësorin, por ka të bëjë me një memorie shtetërore dhe dinjitet institucional.
“Vetëm kërkoj nga gjykata që të akuzuarve t’ua ofrojë të gjitha të drejtat procedurale që u takojnë me ligj në mënyrë që në fund kur të merret aktgjykimi, e aktgjykimi do të jetë dënues sigurisht sepse provat janë të forta, provat janë të pakundërshtueshme. Kur të merret aktgjykimi mos t’u jepet hapësirë avokatëve të të akuzuarve që aktgjykimin në Gjykatën e Apelit, ta kthejnë në rigjykim”, tha ai
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ekstradimin e përgjegjësit të grupit terrorist, Milan Radoiçiq dhe të akuzuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Ata janë në kërkim të INTERPOLIT e presion ndaj Serbisë, që ajo t’ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës është bërë edhe nga ndërkombëtarët.