Lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016, sot është shkarkuar kryeinspektori Ylber Topalli, raporton teve1.info.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë, e cila ka thënë se vendimi ka ardhur duke marrë parasysh shkeljet ligjore të rënda, disa prej të cilave Topalli dyshohet se i ka kryer.
Sipas MD-së, Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë.
“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjell në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bartë detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Gjithashtu, Topalli dyshohet se ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin.
“ Po ashtu, i njëjti ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin: Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, ka bërë të ditur MD.
Javë më parë është raportuar se janë zhdukur provat e Astrit Deharit, çështja e të cilave është ende duke u hetuar.
Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.