Reagim publik
Në cilësinë e Drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndjej obligim institucional dhe moral të reagoj për një situatë të papërshtatshme që ndodhi sonte gjatë darkës zyrtare me sportistët dhe futbollistët tanë SC Gjilani-Veteranët dhe FC Kosova Veteranet-Zürich, të organizuar me qëllim mirënjohjeje për përfaqësimin e dy qyteteve dhe sukseseve të tyre në fushën e sportit.
Kjo darkë ishte e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në koordinim me Kryetarin e Komunës, dhe kishte karakter institucional, larg çdo ngjyrese politike apo fushate zgjedhore.
Fatkeqësisht, prezenca e ish nënkryetarit të komunës dhe nënkryetarit të LDK-së në Gjilan, në këtë aktivitet, pa ftesë dhe pa paralajmërim, ka cenuar seriozitetin dhe qëllimin e kësaj mbrëmjeje. Ndërhyrja e tij në një ngjarje të tillë, në nje darkë mes futbollistëve dhe vetëm për futbollistët, në kohë para fushate, mund të perceptohet si tentim për përfitim politik nga mundi i sportistëve tanë, gjë që është joetike dhe e papranueshme.
Ndërhyrjet e tilla në aktivitete të karakterit institucional, pa asnjë ftesë dhe koordinim me organizatorët, përbëjnë mungesë respekti për institucionin, sportistët dhe qytetarët që presin etikë dhe korrektësi nga figura publike.
Ftoj të gjithë akterët politikë të respektojnë kufijtë institucionalë dhe të mos përdorin sportin, i cili është fushë bashkimi, për ndasi apo përfitime elektorale.
Respekti për institucionet është respekt për qytetarët.
Kushtrim Zeqiri
Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport
Komuna e Gjilanit