Reagimet emocionale te fëmijët (krizat e inatit).
Krizë e inatit do të thotë një shpërthim i temperamentit apo një grindje dhe është e qartë se shpërthime të tilla mund të ndodhin në çdo moshë.
Kjo sjellje haset më shpesh në moshat 18 muajsh deri në tre vjeç dhe vazhdon të jetë ende e zakonshme deri në pesë apo gjashtë vjeç.
Disa fakte për krizat e inatit te fëmijët:
Krizat e inatit janë të kombinuara me një ndjenjë tjetër, si zhgënjimi apo paniku;
Krizat e inatit gati gjithnjë zhvillohen në lidhje me prindin ose me dikë ku fëmija ndihet i sigurt dhe e njehë;
Temperamenti luan rol gjithashtu. Një fëmijë aktiv me vullnet të fortë mund të ketë më shumë kriza ose sjellje impulsive;
Krizat e inatit ndodhin zakonisht kur ndjenjat e fëmijës janë jashtë kontrollit.
Shumica e krizave të inatit janë një shprehje e humbjes së kontrollit, një reagim ndaj ndjenjave të zhgënjimit, pamundësisë për të bërë diçka dhe indinjatës dhe ndodhin për shkak të mungesës së aftësive të nevojshme tek një fëmijë për të përballuar ndjenja të tilla.
Shkaqet e zakonshme:
Kërkon vëmendje
Dëshiron diçka që mund ta ketë
Dëshiron të provojë se është i pavarur
Xhelozia
Thjesht, kokëfortësia
Strategjitë për t’i tërhequr vëmendjen fëmijës para ose gjatë një krizë të inatit:
Tërheqja e vëmendjes – Edhe nëse mendoni se kriza e inatit do të plasë pas pak, shpesh ka kohë për t’ia tërhequr vëmendjen fëmijës.
Zëvendësimi – Po t’i ofroni një lodër, fëmija mund t’u jap gjithë qejfe çelësat që i ka marrë dhe nuk jua jepte.
Shembuj tjerë: ofrimi i një letre kur përpiqet të vizatojë në mure, ose që të grisë librin.
Zbulimi i një modelimi – Nëse fëmija ka shumë kriza inati, mund të ndihmojmë nëse mbani shënime me shkrim se çfarë ndodh saktësisht pak përpara krizës dhe cilat janë rrethanat në kohën kur fillon kriza e inatit.
Bashkëpunimi, ndërveprimi, komunikimi në raport me fëmijën, vëmendja e përkushtuar, kontakti me sy, kontakti fizik janë trampolinë për një zhvillim psikologjik dhe emocional të fëmijës, po ashtu stimulimi në aktivitete kreative ndikon që fëmija të zhvillojë vetëkontrollin, të zhvillojë ndjenjën e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit.
Aktivitetet e tilla në raport me fëmijën janë terapi për zhvillimin psikologjik, emocional, social, kognitiv.
Ma. Sc. Besnik Sherifi -Psikolog klinik.