Për: Zyra e Kryeministrit, Qeveria e Kosovës
CC: Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Financave dhe Transfereve
IKSHPK
Nga: Klubet e Natës së Kosovës përmes Shoqatës së Gastronomeve
Data: 30 qershor, 2020
Lënda: Ju lutem punoni me ne në mënyrë që të rimëkëmbim turizmin vendor dhe industrinë e klubeve të natës
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Përmes kësaj letre publike, ne, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës – Klubet e Natës, ju bëjmë thirrje për bashkëpunim në dhënien e kontributit tonë në dizajnimin e masave dhe praktikave më të mira të ndërmarra në shtetet e Rajonit dhe Evropës të cilat mundësojnë operimin e klubeve të natës gjatë periudhës së pandemisë, virusit Covid-19.
Shkurtimisht, shtetet fqinje si Mali i Zi, Serbia , Croatia , Greci , dhe më gjërë kanë lejuar operimin e klubeve të natës që nga muaji korrik 2020. Për më tepër, në shtete të shumta kanë lejuar edhe mbajtjen e festivaleve që mbledhin me qindra pjesëmarrës si: Exit Festival – Serbi (mbi 200,000 pjesëmarrës); Love Fest – Serbi (+100,000); See Dance – Mal i Zi (+60.000), etj. Përveç arsyeve të ndërlidhura me qëndrueshmërinë dhe stabilitetin financiar të vet-klubeve të natës dhe efektit zingjiror në punësim, aktivitet ekonomik, etj; qeveritë e shteteve të ndryshme kanë vlerësuar se lehtësimet përkatëse do të ndikojnë edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit vendor.
Në adresimet e mëparshme, ne ju kemi prezantuar argumentet se si Covid-19 po ndikon në industrinë e klubeve të natës. Sot duam të theksojmë se klubet e natës përbëjnë edhe kontribuesin kyç në tërheqjen e rinisë, sidomos Diasporën, dhe kontribuon drejtpërdrejt në turizimin vendor. Pjesë e konsiderueshme e remitencave të bashkë-atdhetarëve tanë qarkullohen përmes industrisë që ne përfaqësojmë. Vetëm ta mendosh, është e lehtë t’a ndalojmë edhe më tutje operimin e klubeve të natës por impakti dhe qëndrueshmëria ekonomike dhe shoqërore është kosto e madhe të cilën veçse po na duhet kohë ta rimëkëmbim.
Referuar praktikave më të reja të zhvilluara nga Shoqata Ndërkombëtare e Klube të Natës, ne mund të ju ndihmojmë, që në kohë tejet të shkurtër, të zhvillojmë dhe aplikojmë me përgjegjësi të plotë masa dhe programe që mundësojnë kontrollimin dhe operimin e klubeve të natës gjatë periudhës së pandemisë. Ne jemi të gatshëm që Qeverisë së Kosovës t’i ofrojmë bashkëpunimin e plote dhe kontributin profesoinal në marrjen e vendimit për lejimin e operimit të klubeve të natës që bazohet në praktika profesionale, në mënyrë që të jemi të gatshëm të presim Diasporën tonë nga data 15 korrik, 2020.
Sinqerisht,
Punëtorët, pronarët, furnitorët, artistët, … e klubeve të natës