Me shumë dëshirë do e kisha fillu këtë status duke e prezantu një pikë programore me të cilën ju si qytetarë të Gjilanit do të mund të më njihnit mua e idetë e Lëvizjes për qeverisjen e Gjilanit. Në atë mënyrë që të ketë informata të qarta për të më gjykuar se si do të jem kryetar i denjë për ju. Mirëpo në këtë pikë të fushatës e kam të pamundur pa ju bërë thirrje që të mos bini pre e sulmeve të ulëta që po i bëhen Lëvizjes në Gjilan, të cilat e kanë degraduar nivelin e fushatës deri në thashethemet më të ulëta e dezinformata. Sulmet e reagimet e tilla janë pasojë e frikës nga humbja e pushtetit dhe panikun që shkakton ajo. Por kjo nuk e ndalë Lëvizjen VETËVENDOSJE! e mua si kryetar, që të jemi udhëheqja e re për gjithë Gjilanin pa dallime.
Është e rëndësishme të theksojmë vetëm një gjë, është pikërisht puna e përbashkët e të gjithë neve që e ka sjellë rezultatin e 17 tetorit. Është fryma e re që është krijuar, që sjell fitoren definitive të 14 nëntorit. Metodat e vjetra politike, nuk kanë më ndikim në banorët e Gjilanit. Është hipokrizi dhe arrogancë e atyre që i kanë shterru idetë e nuk kanë më asnjë gjë të re me i dhanë Gjilanit e politikës. Nuk mund ta ulim më nivelin e politikës. Nuk mund të vazhdojmë më me të vjetrën. Gjilani ka vendosur të zgjohet dhe të bëjë një hap përpara me një zë të ri e udhëheqje të re.