Imami i fshatit Karaçevë, Bujar Fera, ka reaguar ashpër pasi ka thënë se shkolla fillore në Karaçevën e poshtme, me mbi 100 nxënës është marrë vendim të mbyllet shkruan Radio Star.
Fera thotë se në sytë e të gjithëve dukeshin lotët e mërzisë, nga ky vendim ndihemi të injoruar si prindër.
Postimi i plotë:
Karaçevë e Poshtme
Shkolla Fillore në Karaçevë të poshtme është e bukur, e më të bukur e bënë atë emri i dëshmorit të kombit “Asllan Thaçi”, dhe mbi 100 nxënës të saj.
Për të gjithë nxënësit, por edhe për vajzën tonë Tarën, e cila sot mori çantën me gëzimin e madh për të shkuar në shkollën e saj për të ndjekur mësimet në klasën e parë, dhe unë si prind në vend të urimit për një fillimvit të mbarë për Tarën dhe për të gjithë bashkmoshtarët e saj dhe nxënësit e tjerë bashkë me prindërit e tyre përjetuam një lajm jo të mirë.
Vendimi – mbyllet Shkolla Fillore “Asllan Thaçi”!
Në sytë e të gjithëve dukeshin lotët e mërzisë.
Nga ky vendim ndihemi të injoruar si prindër.
Sot në shkollën fillore ”Asllan Thaçi”, në Karaçevë nuk filloi mësimi, e as nuk u hapën dyert e shkollës.
Të gjithë nxënësit e kësaj shkolle presin sot, kur të bjerë zilja, por zilja e shkollës nuk po bie.
Nxënësit po presin kur të hapen dyert e shkollës, ndërsa dyert saj janë të mbyllura.
Muaji shtator është muaji kur nxënësit i gëzohen fillimit të mësimit dhe hyrjes në shkollë dhe mezi kanë pritur të ulen në bankat e tyre.
Dhe ky shtator nuk ishte sikur shtatorët tjerë, të gjithë prindërit kishin vendosur maska bashkë me fëmijët e tyre për shkak të pandemisë.
Sot, ne si prindër së bashku me fëmijët tanë kemi pritur të filloj mësimi në shkollë dhe fëmijët tanë të jenë në një klasë me shoqet dhe shokët e tyre bashkë me mësimdhënësit, por kjo sot nuk ndodhi në shkollën tonë.
Të dashur nxënës, edhe ne jemi mërzitur bashkë me ju, për juve që sot nuk filluat mësimin por nesër gjithsesi me plotë shpresë.
Ne në këtë botën tonë demokratike nuk kemi parë, e as nuk kemi njohur dhe nuk kemi dëgjuar asnjë fuqi mbi fuqinë e popullit.
Është e padrejtë mbyllja e shkollës tonë.
Ne e dijmë se kush na e mbylli shkollën, nuk jemi dritëshkurtër. Kur vie koha e zgjedhjeve të gjithë garuesit e partive politike thërrasin “populli, populli, populli”. Atëherë jepi të drejtën që meriton populli. Mos hyni në rrugë të gabuara. Ne nuk kemi për të heshtur por kemi për të vazhduar rrugën në të drejtën tonë. Jo se ne nuk dijmë të flasim e të kthejmë përgjigje..!?
Shkolla fillore “Asllan Thaçi”, do të hapet.
Kjo shkollë nuk ka duruar drynin as në kohët më të vështira përgjatë gjithë historisë që nga themeli i fillimit hapjes së saj para 72 viteve më parë, e cila ka një histori të lavdishme kombëtare!