Pas deklaratës së deputetes së zgjedhur nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi, e cila tha se është kërcënuar nga burri i ish-ministres së Jashtme, Meliza Haradinajt — Dardan Stublla, ka reaguar ky i fundit.
Në një shkrim në Facebook, Stublla ka thënë se nuk ka kërcënuar në asnjë mënyrë Albana Bytyqin, dhe se sipas tij kjo është shpifje. “Në vazhdën e shantazheve ndaj meje dhe familjes sime, sapo lexova një shkrim në njërën nga portalet se znj. Albana Bytyqi më akuzon se gjoja ka pranuar mesazh kërcënues nga unë!!! Unë në asnjë forme direkte apo indirekte nuk kam kërcënuar askënd e aq më pak zonjën në fjalë e cila po shpif për mua”, shkroi ai. Tutje ka thënë se lidhur me shantazhet që po i bëhen atij, do të kërkojë ndihmë nga Ambasada Britanike, pasi thekson se nuk beson në gjyqësorin e Kosovës.
Kam filluar që mos ti besojë policisë dhe prokurorisë për arsye të mos veprimit, nesër do të i drejtohem Ambasadës Britanike meqë jam shtetas, të kërkoj ndihmë për shantazhet që po më bëhen nga grupet kriminale dhe nga znj. Albana Bytyqi.
Stublla ka kërkuar nga organet gjegjëse të merren me rastin, duke e konsideruar kanosje ndaj tij dhe familjes.
“Thërras organet e rendit të marrin me seriozitet këtë kanosje ndaj meje dhe familjes sime”, shkroi ai në fund.
Haradinaj- Stublla pati fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës pas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por pas disa ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme, ajo humbi mandatin e legjislaturës së tetë të Parlamentit. KQZ sot certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit ndërsa në vend të Haradinaj- Stublla tani është Albana Bytyqi.