Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar pas vendimit të Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe veprimeve të ndërmarra nga KEDS për ndërprerjen masive të furnizimit me energji elektrike ndaj bizneseve.
Sipas G7 ky proces, i zbatuar në mënyrë të menjëhershme, shpeshherë në prani të forcave policore, ka krijuar një klimë pasigurie të thellë për sektorin privat dhe ka dërguar sinjale negative tek investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Veçanërisht të prekura nga kjo situatë janë bizneset në pronësi të grave, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë vendore. Këto biznese operojnë kryesisht në sektorë të ndjeshëm, me kapacitete më të kufizuara financiare dhe qasje të vështirësuar në instrumente financiare. Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për to përkthehet në humbje të menjëhershme të të ardhurave, dëmtim të zinxhirit të shërbimeve dhe prodhimit, rrezikim të vendeve të punës, shumica prej tyre të mbajtura nga gra – si dhe mbyllje të mundshme të aktiviteteve ekonomike.”, thuhet në njoftim.
G7 po ashtu bën të ditur se kanë pranuar ankesa se edhe disa biznese me kontrata të vlefshme janë përballur me shkyçje.
“Gjithashtu, kemi pranuar ankesa nga anëtaret tona për raste ku edhe bizneset me kontrata të vlefshme janë përballur me shkyçje, si dhe raste të tjera ku subjekte që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të kaluar në tregun e lirë janë përfshirë në këtë proces. Kjo tregon qartë se tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë është zbatuar në mënyrë të papërgatitur dhe pa analizë të plotë të implikimeve për ekonominë.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 kërkon me urgjencë:
1. Që ZRrE dhe KEDS të pezullojnë menjëherë ndërprerjen e furnizimit me energji për bizneset dhe të sigurojnë një proces të drejtë, transparent dhe ligjërisht të qartë.
2. Që të hapet një dialog i strukturuar dhe gjithëpërfshirës me odat ekonomike dhe organizatat e biznesit, në mënyrë që të hartohet një plan tranzicioni i arsyeshëm për daljen në tregun e lirë të energjisë.
3. Që të krijohen mekanizma mbrojtës dhe lehtësues për bizneset e vogla dhe të mesme, me fokus të posaçëm tek ndërmarrjet në pronësi të grave, për të shmangur dëme të pariparueshme në aktivitetin e tyre ekonomik.”, thuhet në reagim.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 rithekson se gratë sipërmarrëse luajnë një rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
” Vendime të tilla, të ndërmarra pa konsultim dhe tranzicion të mjaftueshëm, rrezikojnë jo vetëm ekzistencën e bizneseve të tyre, por edhe stabilitetin ekonomik e shoqëror të Kosovës.”, përfundon reagimi.