Të nderuar gazetarë,
Unë nuk jam punësuar dje në UP! Jam e angazhuar në Universitetin e Prishtinës si asistente që nga viti 2018, kur Fitimi nuk ka qenë fare deputet. Për çdo vit aplikoj në të njëjtën pozitë për një kontratë një vjeçare angazhimi. Kriteret e aplikimit janë të njohura për ata që duan të kuptojnë të vërtetën dhe nuk kanë ndryshuar asnjëherë.
Është për keqardhje se si mediet duan që ta reduktojnë figurën time në “gruan e deputetit” duke i kontribuar kështu edhe një raportimi mizogjen.
Që ta kuptoni edhe ju, unë jam Yllka Syla, e diplomuar si studente e dalluar në departamentin e Etnologjisë (9.37 notë mesatare) dhe e diplomuar gjithashtu edhe në departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës (pra kam fituar dy diploma bachelor para se të isha bashkëshortja e Fitimit). Kam fituar titullin master shkence në Etnologji dhe Folklor në Qendrën për Studime Albanologjike (UT) me rezultate të larta, kam prezantuar punën time shkencore në konferenca dhe jam përpjekur që të bëj pak për profesionin tim. Nuk e di sa shumë. Por, kjo jam unë. Edhe po, jam aktualisht bashkëshortja e deputetit Fitim Uka (kush e di edhe për sa gjatë), informacion që nuk ma kanë kërkuar në konkurs (çuditërisht)!
Unë jam asistente në drejtorinë për Kulturë të Komunës së Prishtinës që nga viti 2015, e angazhuar në shumë projekte dhe mbikqyrje të projekteve në fushën e antropologjisë dhe arkeologjisë, por dhe përvoja ime në UP që nga viti 2018 qenka konsideruar si përparësi, në interpretim të pikës 7, pika 4.1 të rregullores 1/95, 24.06.2021 në raport me kandidatët e tjerë. Këtë e mësova sot nga mediet. Kandidatët e tjerë nuk kam pasur si t’i njoh, nuk i njoh, nuk e di kush janë, ku kanë studiuar dhe çfarë suksese kanë shënuar. Por, edhe pa i njohur (thjesht nëpërmjet raportimit të medieve) dua të shfaq respektin dhe admirimin tim për ta. Por, që ta sqarojmë edhe një herë, unë jam thjesht një kandidate më shumë. Komisioni e ka për obligim që të vlerësoj kandidatët, prandaj vetëvlerësimi nuk ka asnjë peshë në këtë mes. Nëse ka profesorë dhe të tjerë që nuk iu besojnë (vlerësojnë ndryshe) institucioneve ku japin mësim dhe notave që i vënë vetë, atëherë ky nuk është problem i imi. Nëse studimet në UP dhe institucione të tjera publike kanë më pak vlerë dhe një gradë BA apo MA e fituar në UP vlen më pak se e njëjta gradë e fituar diku tjetër, atëherë është mirë të mos na mashtroni kinse po studiojmë kur jemi studentë dhe mos të mashtrojmë gjeneratat e reja kur angazhohemi si staf akademik. Thjesht, le t’a mbyllim UP-në dhe të mos iu humbim kohën dhe mundin!
Unë nuk jam juriste, nuk di të interpretoj rregullore dhe as që është detyrë e imja kjo. Interpretimin ua lë atyre që janë profesionistë të fushës, por edhe atyre që pretendojnë se e njohin këtë fushë dhe që marrin të drejtën të interpretojnë gjithçka dhe asgjë (edhe atëherë kur zgjedhin rrugë jo-ligjore për të bërë presion apo kërkuar “tërheqje”). Këshilla ime e sinqertë është kjo: Nëse disa kritere qenkan më të rëndësishme se të tjerat dhe nëse gradat e njëjta vlejnë ndryshe (sipas një standarti të ri e të pashkruar deri më tash), atëherë ju ftoj që të ndryshoni rregulloren dhe unë do të jem në rregull me çfarëdo vendimi që ju merrni. Unë thjesht e respektoj secilin vendim të komisionit apo Këshillit të Fakultetit. Kushdo që e meriton pozitën ia uroj me gjithë shpirt suksesin dhe do t’i uroj punë të mbarë me studentët.
Por, ky raportim i anshëm dhe këto “sulme mediatike”, që nuk më kanë cak fare mua, janë vërtetë të ulëta. Thjesht, akoma nuk mund ta kuptoj, pse duhet të sulmohem unë për rregulloren dhe për vendimin e komisionit. Keni ngatërruar adresë! Po të kishte një standard minimal të raporimit profesional, do të duhej që të prezantohej e plotë edhe CV-ja ime dhe të paktën të kontaktohesha për një sqarim. Por, meqë e paskeni bërë edhe lajmin edhe paskeni dhënë verdiktin, edhe e paskeni gjetur fajtorin, më mbetet thjeshtë vetëm të iu uroj suksese në “pushkatimin mediatik” të deputetit, që ka qëlluar të jetë bashkëshorti im.
P.S. Edhe dy fjalë të tjera. Po të mos ishte për pasionin qe kam për profesionin, honoraret që marrim për punën dhe angazhimin në UP janë vërtetë nënvlerësim për punën. Prandaj, nuk është çështje page. Është thjesht çështje profesioni dhe pasioni.