Edhe një rast tjetër ku titujt janë shtrembëruar, për shkak të politikës.
Puna ime si Ministër i Shëndetësisë, qysh në fillim, ishte vendosja e ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe çmimeve të larta, si dhe respektimi i procedurave, e jo procedura me të njofshëm.
Në vitin 2018, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesë për një donacion nga organizata Sons of Eagle. Kërkesa ishte shqyrtuar nga Komisioni për Donacione – i cili ka konstatuar se ky donacion nuk i plotëson kushtet. Njësoj si për të gjitha donacionet tjera që nuk i plotësojnë kushtet, Komisioni ka informuar edhe për donacionin në fjalë.
Komisioni për Donacione vepron i pavarur nga Ministria e Shëndetësisë, pikërisht për mbrojtje nga politika.
Komisioni për Donacione dhe Organizata Sons of Eagle janë takuar disa herë, në tentim për ta gjetur një zgjidhje. Por, organizata në fjalë nuk i ka plotësuar dokumentet e duhura për import.
Në vitin 2018 nuk ka pasur situatë emergjente.
Mosplotësimi i kushteve lë dyshime për cilësinë, ndërsa cilësia e dyshimtë mund të jetë e rrezikshme për popullatën. Barnat dhe pajisjet shëndetësore nuk janë artikuj që pranohen pa plotësim të standardeve.
Dhe, më lejoni t’jua rikujtoj se pranimi i donacioneve mjekësore që nuk i plotësojnë standardet e vendosura nga Komisioni për Donacione, e që janë standarde të BE-së, nënkupton shkelje të ligjit.