Ka dështuar sot konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi që nuk u miratua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve.
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku ka akuzuar partitë opozitare.
“Deputet e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike.
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, tha Kurti.