“Deklarata e pa matur e Ministrit të Jashtme gjerman, Sigmar Gabriel, dhe vlerësimi në mënyrë të gabuar i situatës mund të ketë ardhur vetëm nga fakti se mikpritësit e kanë keqinformuar mysafirin, gjë e cila nuk përfaqëson një situatë politike dhe të sigurisë”.
Kështu mendon Lista Serbe, përcjell Telegrafi, duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit gjerman, i cili është cituar nga mediat të ketë thënë se në veri të Mitrovicë ekziston kriminaliteti masiv dhe se në maje të pushtetit qëndrojnë njerëz të krimit të organizuar, të cilët madje nuk ngurrojnë as edhe të vrasin njerëz.
Në këtë drejtim, përmes një deklarate, Lista serbe thekson se ajo është kreu i vetëqeverisjes lokale në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se në atë pozicion kanë ardhur në sajë të mbështetjes bindëse të popullit serb dhe se nuk mund të lejojë askënd të në mënyrë arbitrare të stigmatizojnë institucionet publike në zonat me shumicë serbe.
“Sigmar Gabriel ka lënduar ndjenjat e serbëve, duke i kualifikuar institucionet e popullit tonë si kriminale dhe jo-ekzistente, edhe pse kjo me siguri duhet të ketë qenë në dijeni se serbët, nëse nuk do të kishin qenë këto institucione, sot ndoshta nuk do të kishin qenë duke jetuar në Kosovë”.
Në këtë drejtim Lista Serbe i bën thirrje ministrit Gabriel që nëse vërtetë ka njohur për sundimin e krimit të organizuar në veri të Kosovës dhe njerëzve që pretendon se kanë vrarë ose janë të gatshëm për të vrarë, këtë informacion pa vonesë ta dorëzojë tek autoritetet kompetente gjyqësore.