Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj lajmit me titull “Pacientët e Onkologjisë letër MSH-së: Ndërmerrni masa ose mbyllemi në repart deri në plotësimin e kërkesave”.
Njoftojmë opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë në adresën e saj, deri më tani, nuk ka pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike në asnjë prej departamenteve përgjegjëse, siç pretendohet në këtë lajm.
Me këtë rast, ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë në bashkërendim me Bordin dhe menaxhmentin e ShSKUK-së si dhe akterë të tjerë relevant, janë angazhuar në vazhdimësi për të siguruar dhe ngritur cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientet në nevojë.
Sa i përket Klinikës së Onkologjisë, ju njoftojmë se projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme veçse është proceduar nga ShSKUK-së së bashku me investimet në aparaturat e avancuara, ndërsa punimet tashmë kanë filluar.
Sipas raportimit nga Bordi i ShSKUK-së, aktualisht furnizimi me barna është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%. Mekanizmat menaxhues të ShKUK-së kanë shtuar angazhimin që edhe kjo përqindje e furnizimit me barna dhe material shpenzues të arrij në plotni kërkesat dhe nevojat e pacientëve tanë.
Investimet në Kliniken e Onkologjisë duke përfshi infrastrukturën dhe pajisjet, sipas raportit nga Bordi i ShSKUK-së, këtë vit janë në vlerë rreth 2 milionë euro.
Po ashtu, ShSKUK është në fazën përfundimtare të procesit të rekrutimit të rreth 100 infermiereve, të cilët do të sistemohen sipas nevojave në klinikat e QKUK-së, duke përfshirë edhe Kliniken e Onkologjisë.
Kujdesi ndaj qytetarëve si dhe shërbimet shëndetësore mbeten gjithmonë prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa mbesim të përkushtuar për të përmirësuar dhe avancuar shërbimet shëndetësore përmes planifikimeve infrastrukturore, si dhe të shtimit të kapaciteteve të stafit profesional shëndetësorë.