Dëshmi të padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e ka quajtur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë për refuzimin e lirimit të përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Mënyra se si po trajtohen nga kjo gjykatë bashkëluftëtarët tanë nuk është vetëm e padrejtë, por është gjithashtu një hap prapa në ndihmën që Kosova po kërkon drejt njohjes ndërkombëtare të luftës së saj për liri”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.
Kjo organizatë i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shqyrtojë këtë çështje me objektivitet dhe drejtësi, duke i dhënë fund, sipas tyre, diskriminimit dhe trajtimit të padrejtë ndaj liderëve të UÇK-së.
“Ne, si OVL UÇK, do të vazhdojmë të mbrojmë luftën tonë të lavdishme për liri, dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë atyre që dhanë gjithçka për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës”, thuhet në reagim.