Shkruan: Riza Abdyli
Uji është nevojë e domosdoshme për secilin njeri dhe të apelosh përditë që të kursehet uji, kur jemi në gjendje krize, nuk është se ofron ndonjë zgjidhje për të dalë nga kriza. Më tepër ngjan në një këshillë për ta pranuar dhe për ta përballuar krizën, duke sakrifikuar jetën për t’u përshtatur me mungesën e ujit, pa pasur asnjë shpresë për të ardhmen.
Pas kësaj porosie të përsëritur, kur mungesa e ujit do të jetë edhe më e madhe, duke qëndruar kështu pa bërë asgjë, s’do të mbetet tjetër veç t’u kërkojmë qytetarëve edhe që të pajtohen me fatin e tyre të hidhur me mungesë të skajshme të ujit.
Qytetarët duhet të përdorin ujë edhe kur kursejnë, sepse diçka do të duhet të përdorin patjetër. E në këtë gjendje, të thuash vazhdimisht “kurseni-kurseni-kurseni”, nuk ke thënë më ndonjë gjë që ata nuk e dinë dhe nuk ke thënë atë që ata e presin, sepse nuk ke bërë atë që të takon.
PDK ka disa opcione për këtë dhe është e gatshme të reagojë duke angazhuar ekspertët për të sugjeruar zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, duke shfrytëzuar resurset tona alternative, që do t’i përmbushin përfundimisht nevojat e qytetarëve për ujë.
Mungesa tremujore gjatë kesaj vere, e kujtojmë që viteve të fundit kjo gjendje është përsëritur, flet më së miri për mungesën e prioriteteve zhvillimore të komunës. Harxhohen miliona euro në hyrjet e qytetit me 4 korsi, të cilat nuk e zbutën dot kaosin në trafik, e nuk investohet në ndërrimin dhe modernizimin e rrjetit për furnizim me ujë të pijshëm. Nuk investohet në prurjet e reja në akumulimin e Përlepnicës dhe në burimet e tjera alternative rreth qytetit.
Grimi e ka kuptimin e vet vetem kur organizmi është i shëndoshë, është vital e plotësisht funksional.
Besojmë se qytetarët më në fund e kanë kuptuar mënyrën tallava të qeverisjes së Lutfi Hazirit. Ne opozita, po ua shpjegojmë përdite se si do të duhej të ishte. Ne i kushtojmë rëndësi përmbajtjes e jo vetëm formës.
Po ua kujtojmë që gjatë qeverisjes tonë, në vitin 2012 e kemi filluar ndërtimin e ujësjellesit për Bresalc, Ponesh e Zhegoc dhe sot, më 2019, pas shumë viteve, kjo qeveri lokale e Lutës ende kurrë nuk e ka perfunduar.
Riza Abdyli, shef i GK të PDK-së në KK Gjilan