Shoqata e Lojërave të fatit në Kosovë ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në vend të cilat ndërlidhen me rezolutën për mbylljen e lojërave të fatit dhe kazinove.
Në një sqarim dërguar mediave, kjo shoqatë ka theksuar se nga mbyllja e këtyre lokaleve, buxheti i shtetit do të ketë minus 20 milionë euro të cilat siguroheshin nga këto lojëra.
Tutje, sipas Shoqatës së Lojërave të Fatit, një shumë prej 50 milionë euron do të hiqet nga qarkullimi, pastaj rreth 4000 familje do të mbesnin pa një page mujore minimale prej 400 euro, do të rriten statistikat e papunësisë, rastet sociale do të shtohen, ndërsa në anën tjetër do t’i jepet mundësia që të ushtrohet veprimtaria në mënyrë ilegale, pasi që individët e caktuar nuk do të ndalen së luajturi dhe atë në sistemin online, që do të mbetet pothuajse i pakapshëm nga institucionet shtetërore.
Më poshtë sqarimi i plotë:
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në sektorin e lojërave të fatit, e të cilat ndërlidhen me miratimin e Rezolutës nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe me projektligjin e propozuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e tërësishëm të lojërave të fatit në vendin tonë, sot, me datë 25 mars 2019, Shoqata e Lojërave të Fatit duke vepruar nëpërmjet përfaqësuesve ligjor të tyre – Zyrës Ligjore Koci & Vokshi – kanë dorëzuar pranë Zyrës së Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Komisionit për Buxhet dhe Financa, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Financave dhe para Grupeve Parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës, Kërkesën për Rishqyrtimin e Iniciativës për Ndalimin e Lojërave të Fatit të nisur nëpërmjet miratimit të Rezolutës dhe që pritet të konkretizohet me anë të një projektligji që po përgatitet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Nën presionin e fortë të politikës dhe grupeve të caktuara të interesit, industria e lojërave të fatit po konsiderohet sikurse të ishte gjëja më e shëmtuar që t’i ketë ndodhur këtij vendi. Në vend të krijimit të një sigurie me të madhe për palët, tendencat për të denigruar aktivitetin e lojërave të fatit, janë të pa pranueshme për Shoqatën e Lojërave të Fatit.
Të mbushur skajshmërish me paragjykime, iniciuesit duket se nuk kanë rezonuar se aktualisht, industria e lojërave te fatit në Kosovë rregullohen me ligj të veçantë, përkatësisht me Ligjin Nr. 04/L-080 Për Lojërat e Fatit dhe me Udhëzimin Administrativ MF-Nr. 03/2013 për Zbatimin e Ligjit Nr. 04/L-080 Për Lojërat e Fatit, nëpërmjet të cilit përcaktohen kategoritë e lojërave të fatit të lejuara, kushtet, kriteret dhe procedurat që rregullojnë këtë veprimtari në Republikën e Kosovës si dhe detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e strukturave përgjegjëse për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.
Ne jemi të vetëdijshëm se, megjithatë, shpesh korniza ligjore nuk i plotëson standardet e kërkuara të cilat do të mundësonin një kontrollë efektive të këtij sektori nga ana e organeve shtetërore në funksion të pengimit të informalitetit dhe shmangien tatimore e cila ka derivuar nga sfida e zbatimit në praktikë të këtij ligji.
Nga përvojat e vendeve të ndryshme në rajon dhe në botë, tentimi për t’i mbyllur dhe larguar nga tregu i punës gjitha lojërat e fatit, pa ndonjë analizë dhe studim të mirëfilltë paraprak, ka rezultuar me pasoja të mëdha aspektin ekonomik dhe atë shoqëror. Shumë shtete parashohin se nëse ato dështojnë në rregullimin e kësaj veprimtarie, shtetet fqinje do ta bëjnë një rregullim të tillë dhe do të përfitojnë
– ose aktiviteti ilegal në ushtrimin e kësaj veprimtarie në atë shtet do të rritet.
Mbyllja e lokaleve të lojërave të fatit pa as edhe një paralajmërim është shenje se kemi një sistem të brishtë, të paaftë për të kontrolluar një veprimtari ekonomike e cila lejohet dhe mbikëqyrët në gjitha ekonomitë e tregut të lirë. Përderisa një kategori e njerëzve dhe sipërmarrësve në Kosovë, këtë industri e kanë burim të të hyrave të vetme, në anën tjetër ka edhe të atillë që për kauza populiste propozojnë rezolutën për pezullimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
E tërë kjo duke keqpërdorur tragjedinë e dy të rinjve dhe familjeve të tyre, për të arsyetuar mbylljet e tërë industrisë se lojërave te fatit, është një logjikë tërësisht e pabazuar, ad hoc, dhe pa kurrfarë analize të mirëfilltë ligjore dhe/apo ekonomike. Duke marr shkas nga zhvillimet e fundit në sektorin e sigurisë,
atëherë nëpërmjet kësaj logjike do të duhej t’i mbyllim edhe shumë veprimtari të tjera shërbyese, sikurse janë bankat, restorantet, etj.
Prandaj, çdo tentativë për të vepruar në kundërshtim me kornizën ligjore, përpos që përben shkelje
flagrante të të drejtave fundamentale ajo do të prodhonte edhe konsekuenca tjera ekonomike e sociale të cilat mund të jenë vështirë të riparueshme për një kohë të gjate. Të shtyrë nga ngjarjet fatkeqe të kohës të fundit, tentimi për të vënë drejtësi sociale në emër të asaj kinse, industria e lojërave të fatit rrit kriminalitetin, shkakton divorcet, rrit skamjen, prish raportet familjare e të ngjashme, janë shprehje që dëgjuam këtyre ditëve, por askund nuk përmendet nëse e drejta e këtyre sipërmarrësve për tu trajtuar drejt dhe në përputhje me kornizën e ligjore është duke u shkelur.
Të jemi të sinqertë, kategoritë sociale që preken nga kjo veprimtari janë si çdo kategori tjetër, dhe nëse ndjekim logjikën e përjashtimit atëherë edhe pirja e cigares, alkoolit, drogës, prostitucionit janë të dëmshme, megjithatë ka të tillë që kanë zgjedhur këtë zgjedhje dhe nuk do mund ti frenojmë. Në vend të kësaj, shteti duhet të përkujdeset të vejë kontroll, e pranojmë, ashtu siç do ishte e nevojshme që të krijoj edhe kushte për të vepruar.
Ta themi troç, të gjitha këto veprimtari e kanë klientelën e vet, dhe sado që tentohet ti eliminojmë, ato veçse do të bëhen më homogjene dhe do realizojnë qëllimet e tyre, ne rastin konkret do gjenden mundësi të luhet në forma të tjera – të parregulluara me ligj – ilegale. P.sh kush do ndaloj një person të luaj “online” në kompjuterin apo telefonin e tij, a mund shteti të ketë akces edhe këtu?
Andaj shoqata e lojërave të fatit nxjerr konkludimet me sa vijon:
1. Aktiviteti i lojërave të fatit është i lejueshëm në shumicën e vendeve më demokratike të botës, pjesëmarrja e të cilave në buxhetin e shtetit zë një vend mjaft meritor. Pavarësisht se është si çdo veprimtari tjetër ekonomike, industria e lojërave fatit është përcjellë me paragjykimet nga më të ndryshmet, personave u është dëmtuar reputacioni, janë etiketuar dhe asnjëherë institucionet nuk kanë pas gatishmëri për të forcuar integritetin e kësaj industrie. Varësia nga substancat narkotike, alkooli, e të ngjashme janë shumë me të dëmshme sa bixhozi, megjithatë ideja që të përmbyset gjithçka e ndërtuar me vite nën arsyetimet me banale, është më se e pa pranueshme për Shoqatën e Lojërave të Fatit.
2. Shoqata e Lojërave të Fatit konsideron se Rezoluta e miratuar nga ane Kuvendit të Kosovës si dhe çdo nismë legjislative e cila do të ndaloj në mënyrë të tërësishme lojërat e fatit do të ishte në kundërshtim të plotë me rendin juridik të Kosovës dhe me parimin e sigurisë juridike. Për më tepër, ky veprim do të ishte në kundërshtim të hapur me Ligjin për Investimet e Huaja, si dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, respektivisht të drejtës në pronë.
3. Nga aspekti ekonomik del që me (mos) lejimin e kësaj veprimtarie ekonomike, duhet llogaritur se, dëmet janë shumëfish më të larta sesa të lejoheshin ato. Në njërën formë apo tjetrën, një shumë prej EUR 50 milion do të hiqet nga qarkullimi, pastaj rreth 4000 familje do të mbesnin pa një page mujore minimale prej EUR 400, do të rriten statistikat e papunësisë, rastet sociale do të shtohen, buxheti i Kosovës do të mbetet pa EUR 20 milion, ndërsa në anën tjetër do t’i jepet mundësia që të ushtrohet veprimtaria në mënyrë ilegale, pasi që individët e caktuar nuk do të ndalen së luajturi dhe atë në sistemin online, që do të mbetet pothuajse i pakapshëm nga institucionet shtetërore.
4. Ne konsiderojmë se në vend që të veprohet me inercion dhe të mbyllen pa kurrfarë analize ligjore/ekonomike/sociale të gjitha lojërat e fatit në Kosovë, këtij procesi do të duhej që ti paraprijë një proces gjithëpërfshirës dhe analitik në mënyrë që të identifikohen saktë nevojat shoqërore për rregullime ligjore. Vlen të theksohet se statistikat tregojnë se në Kosovë, industria e lojërave të fatit nuk është edhe në rritje, pra ka pas një stagnim kuantitativ. Kjo tregon se përpos një mbikëqyrje me të afërt, nuk do ketë nevojë të kemi resrtiksione, pasi që mos në Kosovë, ai që ka dëshirën e të provuarit të fatit, me siguri se do gjej mënyrën për të realizuar atë në vendet e rajonit.
5. Megjithatë, nëse pas analizës gjithëpërfshirëse dhe dialogut social rezulton se për Republikën e Kosovës dhe strukturën sociale të saj do të ishte më e mirë sikur të mos ekzistojë veprimtaria e lojërave të fatit fare, Qeveria dhe Kuvendi mund të miratojnë një ligj të tillë, megjithatë edhe në atë rast subjekteve do të duhej që të ipej një periudhë e mjaftueshme kohore që të përgatisin një strategji dalëse dhe që mjetet e investuara të i orientojnë në biznese të tjera apo në shtetet e tjera.
Për dhe në emër të Shoqatës së Lojërave të Fatit
Istref Veliu, kryetar