Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit Avzullah Hoti për mbyllje totale pas shtimit të rasteve pozitive me coronavirus.
Kreu i Prishtinës ka shkruar në Twitter se po shkohet prej ekstremit në ekstrem.
“Prej ekstremit në ekstrem! Hoti paralajmëron mbyllje totale”, ka shkruar Ahmeti.
Kryeministri Hoti ka paralajmëruar se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.
”Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa”, ka deklaruar Hoti.