AktualeBallinaGjykata Speciale
Reagon Thaçi pasi trupi gjykues lexoi deklarata të tij dhe të Selimit ku supozohej që përgjegjës për komunikatat e UÇK-së ishte Bashota
Raporton: Blendina VELIQI
Nga Në 4 Dhj, 2024, 17:30
Shpërndaje
(Përditësuar, ora 17:30)- Kur Sokol Bashota u përball me deklaratat e Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, ku ata e kishin përmendur dëshmitarin si përgjegjës për komunikatat e UÇK-së për një periudhë kohore, i akuzuari Hashim Thaçi ngriti dorën duke kërkuar që të konsultohet me mbrojtjen e tij.
Pas konsultimit, nga mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, gjyqtarit iu kërkua që të lexohej i gjithë transkripti ku tregohej që Thaçi kishte përmendur fjalën ‘supozoj’, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas gjyqtarit Guénaël Mettraux, Rexhep Selimi për ZPS-në më 2019-ën kishte thënë që me komunikatat deri më ’97-ën ishte marrë Nait Hasani dhe pas rënies së tij në burg Sokol Bashota. Ndërsa, pas kësaj periudhe sipas asaj që tha gjyqtari, Rexhep Selimi ka thënë se nga prilli i ’98-ës ishte marrë zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi.
“Kujtoj që me komunikatat- një prej personave që është marrë me komunikatat në vitin 1997 është Sokol Bashota, por komunikatat janë hartuar kryesisht në një prej organeve që quhet “Zëri i Kosovës”. Në prill të vitit 1998 ne kemi emëruar zyrtarisht zëdhënës i cili është marrë më pas me komunikatat dhe me paraqitjet e para publike nëpër televizione, i cili ka qenë Jakup Krasniqi, ndërkohë i ndihmuar dhe i suportuar nga Hashim Thaçi, i cili ka pas detyrë pak më vonë komunikimin me opinionin e kështu ka vazhduar deri në fund përafërsisht”, tha gjyqtari gjatë leximit të deklaratës së Selimit.
Po ashtu, tutje u tha se Selimi kishte thënë që nuk e di se cilën nga komunikatat e ka shkruar njëri dhe cilën tjetri. Megjithatë, Bashota mohoi shkrimin e këtyre komunikatave të UÇK-së.
“Unë po e përsëris që asnjë komunikatë nuk e kam shkruar. Nuk e di kah kjo ide e zotit Selimi për t’u përgjigjur kështu, por unë po e them edhe njëherë që unë nuk kam shkru asnjë komunikatë. Me pas shkru ndonjëherë unë, për opinion unë e kisha pranuar patjetër”, tha ai, duke shtuar se ai vetë asnjë rol nuk e ka pasur që ka të bëjë me komunikatat.
Dëshmitarit iu prezantua më pas një deklaratë e Thaçit më 2020-ën për ZPS-në, ku sipas gjyqtarit ai kishte thënë se më ’96-ën ishte Jashar Salihu përgjegjës për komunikatat.
“Për Jashar Salihun kam dëgju vetëm mbas lufte, më duket se ka qenë në Fondin e Vendlindja Thërret në perëndim, por nuk kam ndonjë informacion të zgjeruar të angazhimit të tij”, tha Bashota.
Krahas kësaj, sipas gjyqtarit Mettraux pas arrestimit të Nait Hasanit, Thaçi kishte thënë se nuk e di saktësisht, por këto funksione sa i përket komunikatave i kanë ushtruar dy persona; Bashota dhe Xheladin Gashi.
“Pyetja e radhës që iu bë Thaçit është kjo: A ka pas Nait Hasani ndonjë rol? Përgjigje; Po se ka qenë përgjegjës, ka qenë udhëheqës i Shtabit Operativ në Kosovë. Pyetje; më ’96-ën? Përgjigje; po. Pyetje; Pas arrestimit të Hasanit në janar të ’97-ës kush ishte përgjegjës për komunikatat? Përgjigje; të them të drejtën unë në atë kohë kam qenë në Zvicër dhe saktësisht nuk e di, por përgjegjësia ka mbetur në atë kohë e angazhimeve operative të Sokol Bashotës, por me theks të theksuar të Xheladin Gashit”, tha Mettraux.
Bashota pohoi se pas arrestimit të Nait Hasanit, për një periudhë në Kosovë kanë qenë vetëm ai dhe Xheladin Gashi, por që nuk është marrë vetë me komunikatat.
“A mund të na shpjegoni se pse edhe zoti Selimi edhe zoti Thaçi kur iu është bërë pyetje kanë thënë se ju keni qenë një ndër personat përgjegjës për komunikatat. Keni diçka për të thënë në lidhje me këtë?”, tha gjyqtari.
Pa ju dhënë hapësira dëshmitarit për t’u përgjigjur, atij iu kërkua menjëherë të lirojë sallën për arsye se Thaçi ngriti dorën pasi dëshiroi që të konsultohej me avokatin e tij.
“Më duhet të konsultohem me klientit tim, pastaj do të them diçka”, tha avokati Luka Mishetiq.
Si rrjedhojë, Mishetiq kërkoi që t’i lexohet në tërësi transkripta dëshmitarit.
“Klienti dhe unë do të thonim të njëjtën gjë në fakt. Është e drejtë që nëse ia bëjmë këtë pyetje dëshmitarit t’i tregohet shprehimisht ajo që është thënë edhe t’i lexojmë komunikatën përkatëse. Në fund të faqes iu është bërë një pyetje konkrete dhe thotë; të supozojmë; thotë nuk e di. Tregojani të qartë dhe të plotë transkriptin”, tha Mishetiq.
Më pas, dëshmitari u kthye sërish në sallën e gjyqit me pyetjen që mbeti në gjysmë pasi iu lexua transkripta e intervistës së Thaçit lidhur me këtë çështje.
“Mua po më kërkohet me hamendësu se çfarë kanë dashtë me thanë këta, por unë mendoj që është më relevante atë që them unë në kuptimin se këtu është fjala për veten e parë njëjës dhe për atë që unë e di. Për këto jam i vetëdijshëm që po e them nën betim, unë nuk i kam shkru komunikatat as të parën deri tek e fundit. Andaj, supozimin që e kanë dhanë këta nuk i di arsyet, por një mund të jetë një arsye për vetë faktin që kam qenë në Kosovë. I vetmi prej anëtarëve të Shtabit që ka mbetë në Kosovë. Ndoshta iu kanë referu kësaj, por që kam shkru komunikata kjo nuk është e vërtetë kurrë”, tha Bashota.
Përveç nga gjyqtari Guénaël Mettraux, dëshmitari u mor në pyetje edhe nga gjyqtari Fergal Gaynor, e po ashtu edhe nga Luka Mishetiq që përfaqëson Thaçin.
Vlen të theksohet se dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe të enjten, ku pritet edhe të përfundojë.