Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Hoti për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Osmani ka kritikuar vendimin e Qeverisë, kreu i së cilës e quajti pengesë për vazhdimin e dialogut çështjen e reciprocitetit, shkruan Reporteri.
Ajo ndër të tjera ka thënë se të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës.
“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, ka shkruar ajo.