Real Madridi e ka fituar “El Clasicon” e parë të sezonit.
Në supersfidën e zhvilluar të dielën mbrëma në xhiron e 10-të të La Ligas, Real Madridi fitoi ndaj Barcelonës me rezultatin 2:1.
Ishte fitorja e parë e madrilenëve pas katër humbjeve të njëpasnjëshme në të gjitha garat nga Barcelona.
Fitorja e parë në “El Clasico” ishte edhe për trajnerin Xabi Alonso, që e mori drejtimin e skuadrës në maj të këtij viti.
Ndeshja e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” nisi më mirë për madrilenët që shënuan që në minutën e 12-të. Megjithatë, goli i francezit u anulua për pozitë jashtë loje.
Por, goli i Mbappes në minutën e 22-të ishte i rregullt për epërsinë 1:0.
Barcelona nuk u dorëzua. Arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 38-të kur shënoi Fermin Lopez. Arda Guler e humbi topin në një zonë të rrezikshme, e më pas Marcus Rashford asistoi për golin e Lopezit.
Dy minuta para se të mbyllej pjesa e parë, në skenë u shfaq Jude Bellingham, asistuesi i golit të parë.
Bellingham përfitoi nga asistimi i Eder Militaos dhe realizoi për 2:1. Goli i Bellinghamit e vendosi sfidën.
Raste të shumta pati edhe në pjesën e dytë.
Mbappe e humbi mundësinë që të shënonte nga penalltia në minutën e 52-të. Gjuajtjen e tij e priti me sukses portieri polak, Wojciech Szczesny.
Në minutën e 10-të të kohës shtesë nga ndeshja u përjashtua mesfushori Pedri. Pedri e mori kartonin e dytë të verdhë, ndërsa pati tensione edhe jashtë fushës. Pati përplasje mes anëtarëve të të dyja skuadrave në bankën rezervë.
Me fitore, Real Madridi është shkëputur në tabelë. Me 27 pikë prin në vendin e parë. Ka pesë pikë më shumë se Barcelona e vendit të dytë.









