Vendi sot po përballet me reduktime të energjisë elektrike.
KESCO në një njoftim për media thekson se sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.
“Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme. Furnizuesi ka vepruar dhe vazhdon të veprojë me përgjegjësi të plotë, duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për mbulimin e nominimeve të energjisë elektrike, si përmes kontratave bilaterale, ashtu edhe përmes tregtimit një ditë para dhe ofertave brenda-ditore. Megjithatë, për shkak të realitetit aktual të tregut dhe kufizimeve ndërkufitare, ku kufiri Kosovë–Serbi nuk është funksional në aspektin komercial, ndërsa kufijtë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete të kufizuara që nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kërkesën e vendit, sigurimi i energjisë elektrike sipas nevojës reale mbetet i vështirë”, thuhet në njoftim.
“Në këtë kontekst, KESCO ndien obligim të informojë me transparencë konsumatorët për situatën reale dhe arsyet objektive që kanë çuar në aplikimin e kufizimeve me energji elektrike sipas nevojës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit elektroenergjetik. KESCO mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, të bëjë çdo përpjekje për sigurimin e energjisë elektrike dhe për minimizimin e ndikimit te konsumatorët, duke i falënderuar ata për mirëkuptimin në këto rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim.










