Shkruan: Mumin Morina
Ndryshimet klimatike po shkaktojnë ndikime gjithnjë e më të ndjeshme në mbarë botën, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit dhe Kosovën. Përveç rritjes së temperaturave mesatare, vendi po përballet me periudha të zgjatura thatësie dhe reshje të paparashikueshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e niveleve të ujit në lumenj, liqene dhe burime natyrore. Si pasojë, kapacitetet e burimeve ujore po zvogëlohen, duke krijuar sfida të mëdha për menaxhimin e qëndrueshëm të këtij resursi jetik.
Një problem i theksuar mbetet edhe shkalla e lartë e humbjeve të ujit në sistemet e ujësjellësit. Edhe përkundër investimeve të mëdha të bëra nga donatorë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane e Investimeve (BEI), Bashkimi Evropian dhe qeveria zvicerane, humbjet e ujit arrijnë ende deri në rreth 60%. Këto humbje janë rezultat jo vetëm i infrastrukturës së vjetëruar dhe mungesës së mirëmbajtjes, por edhe i keqmenaxhimit institucional dhe teknik brenda ndërmarrjeve ujësjellëse. Kjo situatë nënvizon nevojën për investime infrastrukturore të qëndrueshme, si dhe reforma të thella në qeverisjen dhe menaxhimin e sektorit, duke përfshirë masa për monitorim dhe reduktim të humbjeve në rrjetet ekzistuese.
Për të adresuar sfidat e sektorit të ujit në Kosovë, rekomandohet ndërmarrja e reformave të thella, të ngjashme me modelin e zbatuar në Republikën e Shqipërisë. Një nga zgjidhjet qendrore është krijimi i një Operatori Kombëtar të Ujit, i cili synohet të mundësojë centralizimin e menaxhimit, standardizimin e shërbimeve dhe optimizimin e kostove.
Struktura dhe organizimi i sektorit të ujit në Kosovë rekomandohet të përmirësohet përmes krijimit të një organi qendror në nivel vendi, i cili planifikohet të menaxhojë dy nivelet kryesore të zinxhirit të ujit: prodhimin dhe shpërndarjen/furnizimin e ujit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shtatë kompanitë rajonale të ujësjellësve. Synohet ndërtimi i një strukture profesionale, me staf të përzgjedhur dhe të pa-politizuar, duke garantuar që shërbimi të drejtohet nga ekspertë të aftë, sipas parimeve të efikasitetit dhe transparencës. Planifikohet që kompanitë rajonale të fokusohen në operacionet lokale, por nën mbikëqyrjen e operatorit kombëtar, duke siguruar standarde uniforme dhe kontroll të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit.
Rekomandohet gjithashtu përfshirja e sektorit privat dhe implementimi i metodave të avancuara të menaxhimit, si Best Business Practices (BBP), për të optimizuar operacionet, reduktuar humbjet, rritur eficiencën dhe sjellë inovacion në shërbime. Konsolidimi i shërbimeve lokale në entitete më të mëdha planifikohet të sigurojë kapacitet për investime të qëndrueshme, mirëmbajtje të rregullt dhe menaxhim më efektiv, ndërsa përforcimi i stafit të kualifikuar dhe i pa-politizuar synohet të rrisë eficiencën, arkëtimin e shërbimeve dhe reduktimin e humbjeve.
Nevoja për një plan të qartë të investimeve rekomandohet të integrohet me standardet europiane, duke përfshirë furnizimin 24/7, cilësinë e ujit dhe reduktimin e humbjeve. Procesi i centralizimit planifikohet të zbatohet në mënyrë të balancuar, për të shmangur humbjen e përgjegjësisë vendore dhe për të garantuar që operacionet lokale të mos dëmtohen, ndërsa pjesëmarrja e sektorit privat synohet të sjellë eksperiencë të avancuar teknologjike, menaxheriale dhe financiare, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve dhe implementimin e inovacioneve moderne në furnizimin me ujë.
Qeveritë e ardhshme të Kosovës rekomandohet ta vendosin sektorin e ujit si një nga prioritetet kryesore të politikave të tyre. Investimet strategjike, reformat institucionale dhe mbështetja e integruar e sektorit të ujit janë të domosdoshme për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, përballimin e sfidave klimatike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët. Pa një angazhim politik të fortë dhe prioritizim të vazhdueshëm, efektiviteti i reformave mund të rrezikohet.
Nëpërmjet këtyre reformave të integruara, që përfshijnë konsolidimin institucional, profesionalizimin e stafit, monitorimin e performancës, investime strategjike në infrastrukturë dhe përfshirjen e sektorit privat me praktika të avancuara, sektori i ujit në Kosovë ka potencialin të përmirësojë performancën, të reduktojë humbjet dhe të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë për të gjithë qytetarët.
Autori është ekspert në fushën e ujërave










