Protestë para objektit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë paralajmëruar për të hënën punonjësit në procesin e regjistrimit të popullsisë, të cilët janë ndarë të pakënaqur me pagesën që kanë marrë. Ata pretendojnë që ASK-ja nuk e respektoi kontratën me ta.
Lirije Aliu, qytetare nga Prishtina e cila është angazhuar si anketuese gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë, nuk është e kënaqur me pagesën që e ka marrë.
Ajo bashkë me regjistrues të tjerë kanë hapur një grup në rrjetin social Viber që numëron mbi 150 anëtarë, e të cilët kanë paralajmëruar protestë, për të kërkuar që të paguhen në bazë të kontratës.
“Të hënën në orën 13:00, pranë Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e kemi një lloj proteste t’i tregojmë që jemi ta pakënaqur me pagat të cilat na i janë dhënë”, ka thënë Aliu.
Aliu ka thënë se ajo është paguar 1000 euro më pak sesa e parasheh kontrata të cilën e kanë nënshkruar me Agjencinë e Statistikave të Kosovës.
“Këtu janë R1, R2, R3, R4 dhe S, këto kode i përcaktojnë pagesat. Në bazë të kësaj për një ekonomi familjare paguhesh 7 euro, shto dëmet e luftës 8, shto diasporën 9 euro. Në bazë të këtij formulari do të duhej të paguheshim. Por, paga që kemi marrë nuk korrespondon me sa duhet të merrnim”, ka thënë ajo.
Aliu ka deklaruar se në bazë të kontratës më ASK-në, regjistruesit është dashur që pagat t’i merrnin shumë më herët.
“Edhe pse na u është thënë që pagesat do të dalin me datën 17, në pagesat i kemi marrë më datën 27, ka qenë ditë e enjte. Nuk kemi pritur t’i marrim milionat vetëm të paguhemi në bazë të shërbimeve që kemi ofruar”, ka shtuar ajo.
Zëdhënësja e ASK-së, Hazbie Qeriqi, ka thënë se kushdo që ka bërë ankesë për pagesat do të shqyrtohen ato.
Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill dhe përfundoi më 17 maj të këtij vitit.
Agjencia e Statistikave e Kosovës ka njoftuar më herët se rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare e dëmeve të luftës do të dalin në fillim të korrikut, shkruan Koha.
Sipas njoftimeve nga vetë Agjencia, në Kosovë pritet të jenë regjistruar rreth 1.5 milion banorë, rreth 200 mijë më pak sesa në regjistrimin e vitit 2011.
Si atëkohë, ashtu edhe tash, regjistrimin e kanë bojkotuar banorët e komunave të veriut, që kryesisht banohen me serbë.
Në fakt, para se të nise ky proces, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi zyrtar, u bëri thirrje serbëve që të bojkotojnë procesin.
Procesi i regjistrimit është dashur të mbahet më 2021, por për shkak të pandemisë u shty. E vjet, u shty dy herë, për shkak të mospërgatitjeve të duhura.