Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, në Rubikon të KTV-së e ka arsyetuar humbjen e partisë së saj në Gjilanin e Lutfi Hazirit, ndaj Vetëvendosjes.
Atje LDK-ja është mbrapa me 13 për qind, ose rreth 5 mijë e 600 vota. Osmani ka thënë se angazhimi i Lutfi Hazirit ka qenë në tërë Kosovën, dhe jo vetëm në Gjilan.
“Kjo e ka hendikepuar atë, meqë nuk ka mundur të merret vetëm me Gjilanin, por ka qenë në tërë Kosovën, me kërkesën tonë si shef i Shtabit Zgjedhor”, ka thënë Osmani. “Ndryshe është kur konkurrenca është në mes të Kurtit, e ndryshe kur ajo është kundër Ismail Kurteshi”, ka thënë më tej ajo.
Megjithatë, Grupi KOHA ka siguruar renditjen e figurave më të votuara të LDK-së në Gjilan, nga 12.217 vota sa ka marrë gjithsej. Kujtojmë se votuesit kanë të drejtë të zgjedhin deri në pesë kandidatë, ndërsa renditja e më të votuarve është si më poshtë:
Vjosa Osmani 9682
Fatmir Rexhepi 5673
Faton Bislimi 5504
Valentina Bunjaku Rexhepi 4557
Lirije Kajtazi 4485
Imet Rrahmani 3914
Bajrush Ymeri 2201
Lumir Abdixhiku 1151
Kujtim Shala 1087
Hasan Alija 1030
Anton Quni 972
Avdi Pireva 934
Fatbardha Emini Halabaku 669
Marigona Geci 660
Avdullah Hoti 639