Sot, Republika e Kosovës shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Me rastin e këtij përvjetori, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme festive.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 minuta, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Programi i manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Agjenda:
7:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverise)
7:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)
7:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)
7:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)
8:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)
8:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)
9:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz (Prekaz)
10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)
11:25 – Nderime te Monumenti Heroinat (Rr. Luan Haradinaj)
11:30 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)
17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës
20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)

