Para nëntë vitesh (2.12.2012) ndërroi jetë oficieri i TMK-së dhe veprimtari e veterani i luftës, Reshat Sadiku, njeriu i cili jetën e tij ia kushtoi atdheut.
Që nga shkolla e mesme, atëherë edhe kur u burgos nga kriminelët serbo-sllav, ai nuk e ndali veprimtarinë atdhetare, nuk e ndali përpjekjen për t’u çliruar nga ky armik shekullor, edhe pse ishte i përgjuar, i përcjell në çdo hap.
Format e luftës së tij ishin të ndryshme, varësisht prej kohës dhe rrethanave që paraqiteshin, dhe në gjithë këtë rrugë plot pengesa, sakrifica, mund e djersë, ai arriti të dal fitimtar pa e kursyer asnjëherë as familjen, as pasurinë e më së paku veten.
Gëzim i tij më i madh, e që kishte kontribuar edhe ai vetë, ishte formimi i UÇK-së, sepse ishte i vetëdijshëm se vetëm një forcë e organizuar mirë e përgatitur dhe e vendosur për të vdekur për atdhe do të mund të dilte fitimtare ndaj pushtuesit që na e kishte zënë pragun e shtëpisë. Ai pa hezitim, pa e llogaritur në asnjë moment rrezikun e jetës, në vitin 1998 kyçet në njësitet e UÇK-së së qytetit. Ashtu siç kishte dhënë kontributin e tij deri më tash në të gjitha fushat duke dhënë edhe pasurinë, vazhdoi edhe më shumë të kontribuoi me gjithë forcën që kishte.
Fati deshi që ai të mbijetoi nga lufta me armikun shekullor, me pushtetin serb sllav, por, edhe pas kësaj, përkundër kushteve jo të mira ekonomike, vazhdoi të punojë dhe të jap kontributin në forcimin dhe ecjen përpara të TMK-së. Nuk ishte nga ata, që pas përfundimit të luftës t’i kthehet vetvetes, interesit personal, apo edhe të pasurohet duke e shfrytëzuar autoritetin dhe situatën e brishtë, por vazhdoi të kontribuojë edhe më tutje për Kosovën dhe forcimin e ushtrisë, sepse e dinte se Kosova do të jetë e fuqishme duke e pasur një ushtri të fortë e të disiplinuar e një ekonomi të konsoliduar.
Kështu ai, me transformimin e UÇK-së në TMK, sistemohet në Departamentin e Operativës të Zonës së VI të TMK-së në Gjilan, me gradën Toger, i vetëdijshëm së më disiplinë, punë, sjellje të mirë e dinjitoze do t’i kontribuonte vendit të vet. Ai, jo vetëm që kryente detyrat me përpikëri, shpejt e me kohë, por me punën e tij u bë edhe shembull për të tjerët se si duhet të punohet në çdo kohë për vendin.
Reshati, jo që kishte prejardhje nga Kosova Lindore, përkatësisht nga fshati Priboc i komunës së Bujanocit, por duke respektuar betimin që e kishte dhënë në UÇK se, do të luftojë për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, ishte i përkushtuar që edhe kjo pjesë e territorit shqiptar të jetë e lirë. Edhe pse pjesëtarët e TMK-së e kishin të ndaluar ta ndihmonin luftën e UÇPMB-së, ai gjente forma dhe rrugë për të ndihmuar UÇPMB-në, vëllezërit e vet dhe shumë bashkëluftëtarë të tij që ishin kyçur në këtë luftë të drejtë.
Për mos punë, për padrejtësi, për neglizhencë, ai ishte i prerë dhe të kritikonte menjëherë, pa marrë parasysh se çfarë afërsie kishe me të. Dhe pikërisht kjo sjellje korrekte dhe humori i tij i rrallë e kishte bërë të dashur për të gjithë shokët, miqtë e dashamirët. Kishte bërë autoritet dhe respektohej nga të gjithë kudo që ishte.
Reshati në TMK punoi deri në vitin 2008, kur edhe pensionohet, por shpirti i tij humanitar nuk e lente të qetë asnjëherë të ishte indiferent ndaj atyre që kishin nevojë. Edhe pas pensionimit, ai vazhdoi t’u qëndroi pranë e t’u ndihmonte aq sa kishte mundësi, familjeve të dëshmorëve, ish të burgosurve politikë, invalidëve e veteranëve të UÇK-së e të gjithë atyre që kishin nevojë.
Vdekja e tij për ne shokët erdhi e papritur dhe atëherë kur nuk e prisnim, atëherë kur na duhej ende ne veteranëve, familjes e të gjithë neve.
Vdekja e Reshat Sadikut ishte një humbje e madhe për ne, për OVL e UÇK-në e për komunën e Gjilanit, sepse e humbëm një veprimtar të madh dhe një luftëtar të devotshëm të çështjes kombëtare./Ismet Tafili